Oferta, përgënjeshtrime dhe negociata. Sot në Angli flitet vetëm për Armando Brojën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 19:03

Oferta, përgënjeshtrime dhe negociata. Sot në Angli flitet vetëm për Armando Brojën

Armando Broja tani mund të quhet pa frikë si një nga protagonistët kryesorë të merkatos së janarit në Angli, edhe pse në fakt gjatë këtij muaji nuk do të ndryshojë ekip. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, i huazuar deri në fund të sezonit te Sauthempton, është bërë objektivi kryesor i zërave të merkatos dhe sot thuajse të gjitha mediat kryesore britanike kishin lajme për futbollistin kuqezi.

broja

Kështu, kishte lajme për një ofertë prej 40 milionë eurosh nga Njukasëll, vazhdimin e monitorimit nga Uest Hem apo edhe një ofertë që Sauthempton po planifikon të bëjë brenda fundit të muajit për të blerë plotësisht kartonin e tij, për një shifër rreth 30 milionë euro që do të ishte rekord për klubin.

Por ndërkohë, media të tjera prestigjioze kanë hedhur poshtë idenë se ekzistojnë këto oferta konkrete dhe ”Daily Mail”, ka bërë të ditur se Sauthempton ka vendosur që të mos bëjë asnjë lëvizje për momentin, duke e ditur se gjithsesi do të ketë djaloshin shqiptar në radhët e tij të paktën deri në qershor.

Sido që të jetë e vërteta, ky mbetet një interesim i jashtëzakonshëm për sulmuesin shqiptar, i cili ka bërë që sytë e të gjithë opinionit në Angli të jenë të drejtuar nga ai, teksa po tregon ndeshje pas ndeshje potencialin e jashtëzakonshëm që ka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"