Oferta europiane por edhe 500 mijë euro nga Korea, Guri: Mes Europës e Azisë zgjedh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2018 | 22:59

Oferta europiane por edhe 500 mijë euro nga Korea, Guri: Mes Europës e Azisë zgjedh…

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi që ka shënuar 11 gola në kampionat, thekson se është në dijeni për ofertën, por nuk është marrë me detajet, pasi ua ka lënë në dorë drejtuesve të klubit verilindor. “Sigurisht që jam në dijeni për ofertën që ka ardhur për mua, po nuk jam marrë me detajet, pasi do të merren drejtuesit e klubit me këtë pjesë”, u shpreh fillimisht sulmuesi shkodran.

guri

Nëse do ta pranojë apo jo, Guri deklaroi se do ta shqyrtojë mirë dhe me qetësi këtë ofertë, pasi bëhet fjalë për vazhdimësinë e karrierës së tij. “Përpara se të flas për ofertën, normalisht duhet të shoh dhe kushtet e mia. Nuk është e thënë që do klubi dhe do të dua edhe unë. Do i shikoj mirë këto gjëra sepse varet vazhdimësia e karrierës time”, vijoi më tej bomberi i Kukësit. Pavarësisht të gjithave, Guri është shumë i kënaqur që ka ardhur kjo ofertë dhe pret të vijnë edhe kërkesa të tjera të këtij niveli për atë. “Jam shumë i kënaqur që të tilla oferta vijnë për mua, madje pres që të ketë akoma më shumë. Shpresoj që të vazhdoj me këto ritme dhe do e rris akoma nivelin tim në lojë”, tha shkodrani.

Sa i përket zgjedhjeve ndërmjet Europës dhe Azisë 24-vjeçari me pasaportë italiane zgjedh pa dyshim Europën. “Normalisht që unë dëshiroj Europën, për shumë arsye, në radhë të parë për aspektin sportiv, pastaj edhe atë familjar. Dëshira ime është të luaj në një kampionat në Europë, jo jashtë saj. Por, nëse edhe nga kontinente të tjera vjen oferta e duhur, e cila përshtatet me kushtet dhe mendimet e mia për futbollin, ku unë mund të rritem akoma dhe të ngjis shkallët në karrierë, pse jo. Nuk e kam me nxitim, me të parë dhe me të bërë, por siç e thashë, preferenca ime e parë është një kampionat i fortë në Europë”, përfundoi Sindrit Guri për “Panorama Sport”.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"