Oferta bombastike/ Ronaldo “botëror”, Al Nasr i garanton 216 milionë euro për 3 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2022 | 20:40

Oferta bombastike/ Ronaldo “botëror”, Al Nasr i garanton 216 milionë euro për 3 vite

Në Arabinë Saudite mendojnë seriozisht për Kristiano Ronaldon. Al Nasr, një nga klubet më të rëndësishme në vend, do ta kishte kapërcyer kufirin që imponon Botërori dhe thuhet se i ka ofruar fenomenit portugez një kontratë trevjeçare me një vlerë totale prej 216 milionë eurosh.

Saudi-Al-Nasr-club-displays-Ronaldo-millions

Al Nasr shpreson se pas turneut CR7 do të jetë i etur për aventura të reja dhe pas bisedimeve të gjata me përfaqësuesit e tij, burime pranë klubit thonë se interesi i tyre është “më i fortë se kurrë”.

Falë kontakteve të bëra gjatë verës, besohet se bisedimet janë në një fazë të avancuar, por fjala e fundit i takon tashmë ish-sulmuesit të Mançester Junajtidit. Nëse ai vendos të pranojë ofertën, burime të njohura me marrëveshjen i konfirmuan “CBS Sports” se një marrëveshje nuk do të merrte shumë kohë për t’u finalizuar.

NJË MAL ME PARA – Pas hapjes për afrimin e Ronaldos së shprehur nga Ministri i Sportit mund të ketë zhvillime të reja. “Gjithçka është e mundur, do të doja të shihja Ronaldon të luante në kampionatin saudit.

Do të ishte mirë për kampionatin, për ekosistemin sportiv saudit dhe do të frymëzonte të rinjtë për të ardhmen. Ai është një model për shumë fëmijë dhe ka një bazë të madhe fansash në Arabinë Saudite”, ishin fjalët e princit Abdulaziz për “BBC”-në.

Al Nasr janë kthyer në garë për shërbimet e CR7-ës pas përpjekjes së dështuar të verës së kaluar dhe kanë vendosur të ofrojnë një mal me para të cilat duken si e vetmja “armë” që mund ta bindë 37-vjeçarin portugez, jo shumë i dëshiruar për të luajtur në një ligë vërtet modeste. Nga ana tjetër, siç nënvizon “CBS”, për momentin ajo arabe është e vetmja ofertë formale që i është dorëzuar Ronaldos pas përfundimit të kontratës me Mançester Junajtidin.

Ronaldo dhe menaxherët e tij nuk janë në asnjë ngut dhe shpresojnë për një Botëror të madh për të bindur disa klube të mëdha europiane të bëjnë përpara me ofertat e tyre. Në fakt, pavarësisht moshës 37- vjeçare, Ronaldo po tregon edhe në Katar se nuk e ka humbur sensin e golit dhe etjen për rekorde.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"