Objektivi i Mensah: Nga Skënderbeu mund të kapësh më kollaj një transferim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2021 | 23:14

Objektivi i Mensah: Nga Skënderbeu mund të kapësh më kollaj një transferim

Sezoni i ri që do të startojë në këtë fundjavë duket se është objektivi kryesor i sulmuesit ganez Alfred Mensah për të bërë hapin e madh në karrierën e tij individuale. Në prag të ndeshjes me Tiranën, sulmuesi i Skënderbeut ka komentuar situatën në të cilën ndodhet ekipi korçar në prag të nisjes së sezonit dhe pritshmëritë që ka në lidhje me objektivat e vendosur nga klubi. Ndërsa nuk ka lënë pas dore edhe ambiciet personale.

Mensah

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi është shprehur i kënaqur me grupin e bashkëlojtarëve që ka në dispozicion Skënderbeu këtë sezon. Ndaj, edhe për këtë ai është i bindur se ky vit do të jetë krejt ndryshe për Skënderbeun, mjafton që të vazhdohet me një njëjtën dëshirë sikundër u mbyll sezoni i shkuar.

“Më vjen keq që nuk kam pasur mundësi të isha pjesë e ekipit që në fillim të fazës përgatitore por për shkak të problemeve me dokumentacionin jam bashkuar vetëm në javët e fundit të saj. Gjithsesi, në impaktin e parë kam ngelur i kënaqur pasi ekipi kishte ruajtur mbi 90% të përbërjes së vjetshme, çka për vijimësinë është më se e domosdoshme. Kjo bën që ne të kuptojmë se klubi ka një filozofi të qartë për vijimin e projektit që Skënderbeu ka në këto vite. Mirëpo, në momentin e parë që kam mbërritur këtu kam parë se ekipi është në një gjendje të mirë dhe ka rritur nivelin e vet duke plotësuar skuadrën me elementë cilësorë.

Ndryshe nga një sezon më parë, këtë vit kemi më shumë alternativa dhe rolet janë të gjitha të dubluara. Për sa i përket sulmit, mbajtja e lojtarëve kryesorë të sezonit të shkuar, por edhe afrimi i Bismarkut i ka shtuar cilësi. Besoj se këtë sezon do të jemi më shumë efikasë. Kjo na ndihmon që të shohim me qetësi objektivat sezonalë dhe të mundohemi t’i përmbushim ata në maksimumin e kërkuar”, theksoi fillimisht Alfred Mensah.

Më tej sulmuesi ganez i Skënderbeut u ndal edhe te pritshmëritë individuale. Për të ky sezon mund të jetë pika kulmore e karrierës së tij, pasi do të kërkojë të bëjë maksimumin me qëllim që në sezonin e ardhshëm të hedhë hapin e madh në një transferim tek një kampionat më elitar. “Sezoni që shkoi më mësoi fort mirë se duke qenë pjesë e Skënderbeut dhe duke dhënë më të mirën te ky klub, mundësitë e një lëvizjeje janë shumë herë më të mëdha sesa në rrethana të tjera. Falë transferimeve të bëra më herët, kam kuptuar se nga Skënderbeu mund të kapësh një mundësi transferimi shumë më kollaj sesa tek ekipet e tjera. Për këtë jam i fokusuar totalisht te ky klub. Dua që të tregoj vlerat e mia këtë sezon dhe të rritem individualisht për të parë mundësinë e një transferimi në sezonin e ardhshëm”, mbylli prononcimin e tij sulmuesi ganez.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"