Objektivi Champions, derbi i “Madonnina”-s ndan biletën e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2018 | 10:25

Objektivi Champions, derbi i “Madonnina”-s ndan biletën e fundit

Humbja ndaj Juves i kushtoi Milanit vendin e katërt? Ndoshta, por matematika lejon ende hapësirë. Kampionati i kuqezinjve nuk humbi papritur kuptimin në Torino. Ëndrra e Ligës së Kampiones përkundet akoma nga Xhenaro Gatuzos dhe të tijtë, pavarësisht se rruga është një malore shumë e fortë.

FBL-ITA-SERIEA-INTER-MILAN-DERBY

Disfata ndaj bardhezinjve e thelloi distancën mes “Djallit” dhe parajsës “Champions”, por megjithatë llogaritë nuk mund të cilësohen si të mbyllura. Paraqitja në “Allianz Stadium” lë vend për optimizëm, pasi Milani pas golit të parë vendës jo vetëm që dha sinjale karakteri, por edhe arriti të reagonte duke barazuar me ish-in Bonuçi. Nëse shënjestra e Andre Silvës do të kishte qenë ajo e kohëve të arta, pjesa e parë mund të mbyllej me “Djallin” në avantazh, por Gatuzo nuk është nga ata që ecën përpara me “nëse” dhe “sikur”.

DERBI VENDIMTAR – Shansi i fundit është ai i së mërkurës në derbi. Milani që tashmë është larg tetë pikë nga Interi dhe shtatë nga Lacio ka vetëm një rrugëdalje. Për Bonuçin më shokë, shpresa për të vijuar ëndrrën është fitorja nga Interit, pasi vetëm duke mundur kushërinjtë “Djalli” do të rikthehej në luftë për vendin e katër. Tetë ndeshjet e mbetura dhe 24 pikët ende në lojë për kuqezinjtë do të mbanin Rino Gatuzon në garë.

Inter - Milan

Trajneri i Milanit nuk do të ketë në derbi shërbimet e Lukas Biljas, i cili me kartonin e verdhë nga Juventusit tashmë është i detyruar të ndalojë një ndeshje për efekt pezullimi.

NDALOHEN GABIMET – Nëse humbja me “Zonjën e Vjetër” ka lënë pasoja, kjo do të shihet vetëm mbrëmjen e së mërkurës. Gatuzo pas ndeshjes garantoi që disfata ishte e hidhur dhe se shpresonte që edhe të tijtë ta kishin përjetuar keq, pasi vetëm kështu do të mund ta japin më të mirën ndaj Interit.

2

Pikërisht derbi është një rast i volitshëm që duhet shfrytëzuar për të reaguar menjëherë. Spaleti dhe banda e tij janë larg, por nuk janë zhdukur ende nga sytë, ndaj fitorja, më shumë se sa një mundësi, është një detyrim për “Djallin”. Trenat e “Champions”- it, nuk kalojnë rrallë, por nëse humben janë vështirë për t’u kapur. Kutrone me shokë e dinë, gjithçka nevojitet është një derbi si ai i Kupës së Italisë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"