“Objektiv edhe Kupa”, kapiteni i Laçit: Xhixha të bën zbor, e mposhtim Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 13:30

“Objektiv edhe Kupa”, kapiteni i Laçit: Xhixha të bën zbor, e mposhtim Partizanin

Te Laçi e kanë të qartë: Një pikë ndaj Partiza nit nuk shërben, prandaj do të tentohet vetëm maksimumi për të vijuar me ecurinë e fitoreve radhazi. Kurbinasit, me 15 pikë të plota në 5 ndeshjet e fundit, përballen me të kuqtë në “Elbasan Arena” në orën 16:00, pasi të kenë mësuar edhe rezultatin në Vllaznia-Tirana. Për “Panorama Sport”, kapiteni i kurbinasve, Aleksandër Ignjatoviç, deklaron se Kupa është një objektiv i rëndësishëm dhe se përballë të kuqve, Laçi do të shfrytëzojë pikat e forta për të dalë me rezultat maksimal.

ignjatovic laci

Ignjatoviç, me pesë fitore radhazi, si shkon Laçi në këtë përballje me Partizanin?

Kemi pasur një formë të mirë në ndeshjet e fundit dhe ia kemi dalë që të marrim pikët maksimale. Me të njëjtën dëshirë për fitore dhe me të njëjtin motivim maksimal për të luftuar për 90 minuta, do të futemi edhe në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit, me shpresën për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Si ju duket Partizani, pika e fortë dhe më e dobët, sipas jush?

Nuk mendoj se kanë pikë të dobët. Partizani është një skuadër shumë e mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe lojë në të cilën do të ketë mundësi të triumfojë ai që imponohet më tepër dhe tregohet më i saktë me rastet që krijon. Mendoj se ne jemi më të fortë fizikisht sesa Partizani.

A është kjo ndeshje vendimtare për objektivin e Laçit në rrugën për titull?

Sigurisht që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne në këtë moment. Megjithatë, nuk mjafton vetëm kjo, pasi do të kemi edhe shumë ndeshje të tjera të rëndësishme deri në fund të kampionatit. Unë mendoj se për Laçin është momenti që ne të tregojmë cilësitë tona dhe sa vlejmë.

Sa penalizuese është mungesa e Nuabuezes dhe e Mazrekajt, nëse nuk do të luajë as ky i fundit?

Janë lojtarë të rëndësishëm për ne, por skuadra jonë bën një futboll të tillë që nuk bazohemi tek individi. Unë jam i bindur se cilido që do të zbresë në fushë për këtë ndeshje, do të luajë në të njëjtin nivel, pse jo, edhe më mirë.

Çfarë ka Laçi më tepër sesa pretendentet e tjera për titull?

Mendoj se një nga pikat tona më të forta është fakti se kemi dy vite që luajmë së bashku dhe e njohim mjaft mirë njëri-tjetrin. Megjithatë, ne nuk jemi favoritët për titull, por deri në fund nuk do të dorëzohemi për sa kohë të kemi ende shanse për të luftuar për kreun.

Do të luani me Partizanin edhe në Kupë. Jep ky short shanse për kompromise?

Nuk mendoj kështu. Kupa është shumë e rëndësishme për ne, aq më tepër që luhet me një ndeshje dhe do të jetë në fushën tonë. Kemi një shans të madh për të shkuar më tej dhe për të tentuar më pas edhe finalen. Finalja dhe triumfi në këtë kompeticion do të ishte një objektiv i rëndësishëm për ne dhe merr vlerë të veçantë edhe për lojtarët e rinj që të fitojnë trofe, të fitojnë eksperiencë dhe të kenë mundësi të matin edhe vlerat e tyre.

Kush është sulmuesi më i fortë në kampionatin shqiptar?

Më besoni apo jo, i vetmi që nuk mund ta ndal dot është shoku i skuadrës, Xhixha (qesh…). Më shkatërron në çdo stërvitje. Ta shohim si do të jetë edhe në këtë ndeshjen e radhës duke shpresuar që do të jetë në formën e tij më të mirë.

Do të bëni tifo për Tiranën në 90-minutëshin e saj në Shkodër, për ta ndalur Vllazninë?

Sinqerisht nuk më intereson ecuria e skuadrave të tjera. Jua thashë që kanë mbetur edhe shumë ndeshje për t’u luajtur dhe në rast se ne ia dalim që të marrim pikët tona deri në fund, mund të sigurojmë edhe objektivat që kemi. Na duhet vetëm të shohim veten tonë.

A firmosni për një pikë ndaj Partizanit në këtë ndeshje?

Një pikë nuk vlen asgjë as për ne dhe as për Partizanin, prandaj ne do të shkojmë në këtë ndeshje vetëm për fitore.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"