Nxënësi kundër profesorit, Shehin dhe Josën i përplas… stoli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 20:23

Nxënësi kundër profesorit, Shehin dhe Josën i përplas… stoli

Orges Shehi kundër Mirel Josës… Tirana-Kukësi është edhe një sfidë mes dy trajnerëve ose, e thënë ndryshe, “nxënësi” kundër “profesorit”. Kanë punuar dhe kanë fituar bashkë titullin te Skënderbeu për 4 sezone. Shkuan bashkë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe ia dinë sekretet njëri-tjetrit.

Josa Shehi

Kujt do t’ia merrte mendja se do të vinte kaq shpejt dita kur Shehi do të sfidonte si trajner i Tiranës një bardheblu safi si Mirel Josa?! Përveç historisë së përbashkët te Skënderbeu, kanë edhe elemente të tjera që i bashkojnë. Por, janë edhe të ndryshëm pa dyshim dhe fundja është normale të jetë kështu…

TË PËRBASHKËTAT – Mentalitet fituesi, si lojtarë dikur dhe më pas si trajnerë.

– Ironi e fatit, por u prezantuan në të njëjtën ditë si trajnerë në stolat që mbajnë sot (27 janar 2021).

– Shehi është në “shtëpinë” e Josës, ndërsa Mireli drejton ekipin që vitin e kaluar mbylli sezonin me Orgesin në stol (nënkampion).

– Preferojnë të dy skemën 4-3-3 ose 4-2-3-1 dhe u pëlqen gjithnjë që skuadrat e tyre të kenë kontrollin e topit.

– Menaxherë të mirë të karaktereve mbi të gjitha. Dinë të formojnë grup dhe t’u marrin lojtarëve maksimumin.

– Besnikë fanatikë të skuadrave që drejtojnë dhe nuk shohin nëse kanë përballë Skënderbeun apo Partizanin, aty ku ende ka nostalgjikë me shumicë për ta.

– Binom i suksesshëm te Skënderbeu “i artë” që bëri histori.

– Natyrë babaxhane që nuk bëjnë armiq pothuajse asnjëherë, ndonëse mund të ndërrojnë klubet ku punojnë.

– Raport diskret me shefat, duke balancuar më së miri ndikimin e tyre në detaje teknike, por edhe duke vendosur kufij të qartë.

– Skuadrat e tyre kanë nga 26 pikë secila dhe objektivi real është pjesëmarrja në Europë, paçka se ndoshta Shehi nuk pranon ende.

– Shehi dhe Josa punojnë me dy presidentë që shkarkimin e trajnerëve e kanë “sport” më vete, madje edhe pasi fitojnë titullin kampion…

Josa Shehi2

DIFERENCAT – Josa ka qenë një lojtar i shkëlqyer dhe ka veshur edhe fanellën e Kombëtares, por si trajner ka 5 tituj në CVnë e tij. Trajneri më i suksesshëm i 30 viteve të fundit.

– Shehi ka fituar shumë si lojtar, ka qenë edhe pjesë e Kombëtares, por është në hapat e parë si trajner. I duhet shumë që të arrijë sukseset e Josës.

– Josa është më i drejtpërdrejtë me lojtarët dhe drejtuesit e tij, madje edhe publikisht.

– Shehi më i kujdesshëm, shmang gjithnjë kritikat publike dhe mediatikisht “driblon” më mirë sesa një fantazist.

– Josa i mëshon më shumë futbollit sulmues dhe asnjëherë skuadrat e tij nuk kanë luajtur “katenaço” ose ta teprojnë me filozofinë mbrojtëse.

– Shehi është më i fiksuar në balancat e skuadrës dhe ekipet e tij nuk kalojnë kurrë në aventurë. Rezultati është primar për të.

– Josa e ka kaluar fazën “e përjetimit emocional” të ndeshjeve dhe zakonisht merren ndihmësit për udhëzime.

– Shehi është shumë aktiv nga pankina dhe jep udhëzime gjatë gjithë 90 minutave.

– Kukësi i Josës ka 26 pikë dhe matematikisht është ende në garë për titull, por ka shanse që të fitojë edhe Kupën e Shqipërisë.

– Tirana e Shehit ka 26 pikë, mbetet në garë për titull, por Europën mund ta sigurojë vetëm nga kampionati dhe nuk ka asnjë shans për Kupën, sepse janë eliminuar nga Korabi në turin e parë.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"