“Nuk u druhemi kundërshtarëve, por gjykimit”, Moçka: Ka kohë për të menduar për të ardhmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 23:53

“Nuk u druhemi kundërshtarëve, por gjykimit”, Moçka: Ka kohë për të menduar për të ardhmen

Shpëtim Moçka i druhet gjykimit. Portieri u bën thirrje arbitrave të mos e shikojnë Flamurtarin si një ekip të rënë dhe pa objektiva në 5 javët e mbetura të këtij sezoni. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, vlonjati thekson se ata kanë për qëllim që të lënë pas Luftëtarin dhe me këtë motiv do tentojnë t’i marrin pikë edhe Laçit.
Flamurtari Mocka
E vlerëson kundërshtarin, por evidenton se kanë qenë më të fortë në 2015-ën, kohë kur edhe ai ishte pjesë e kurbinasve. Për të ardhmen është i pavendosur, e megjithatë qartëson se me t’u mbyllur metrat e fundit të këtij kampionati, do të vendosë nëse do të qëndrojë apo jo në Vlorë.

Flamurtari pas pritjes së stërgjatë, mori një fitore tenistike kundër Luftëtarit. Për çfarë shërbeu ai trepikësh?
E kishim vlerësuar maksimalisht Luftëtarin. Ishte një duel i veçantë në fakt, pasi përballeshin dy skuadra që matematikisht i kanë mbyllur llogaritë me këtë kategori. Kishim punuar shumë dhe arritëm të fitonim pas një faze të tërë. Siç edhe ju e dini, trepikëshin e fundit e kishim arritur pikërisht përballë këtij kundërshtari. E donim shumë një trepikësh dhe është e vërtetë që shërbeu për moralin, por edhe për t’i parakaluar gjirokastritët në renditje. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët u shprehën siç duhet dhe dhanë maksimumin e tyre në fushën e lojës. Nuk ishte e rëndësishme vetëm se ia dolëm, por mbi tëgjitha që shpërthyem në gola. Ishte një ndeshje shumë e mirë.

A mund t’i merrni pikë edhe Laçit?
Me Laçin synojmë të bëjmë më të mirën. Ne luajmë pa presion dhe shpresojmë të mos dalim pa pikë nga ky takim. Impenjimi për këtë takim nuk do të mungojë.
Por nëse ne do të luajmë si në ndeshjen me Luftëtarin, jam i bindur se nuk do të dalim duarbosh nga kjo transfertë.
Laci festa e golit
Ku ndryshon ky Laç me atë të 2015-ës, kur edhe ju ishit pjesë?
Mendoj se Laçi i vitit 2015 ka shumë ndryshime nga ky i sivjetshmi, pasi ka pasur më shumë kualitet në përbërje.

I druheni kundërshtarit në këtë ndeshje?
Absolutisht që jo. Ne si Flamurtar nuk i druhemi kundërshtarit, por gjykimit.

Pse e thoni këtë?
Kemi parë që na kanë penalizuar shumë, pasi na shikojnë si një ekip të rënë dhe pa objektiva. Duhet të na respektojnë më shumë “xhaketat e zeza”.
Flamurtari festa e golit
Jeni të rënë zyrtarisht nga kategoria. Me çfarë objektivi hyni në fushën e lojës?
Tani dihet që Flamurtari ka rënë edhe matematikisht nga Kategoria Superiore dhe sezonin tjetër do të luajë në të Parën. Objektiv kemi në fakt, duam që të lëmë pas vetes Luftëtarin. Mendoj se kemi një ekip shumë herë më të mirë se ata.

A do të qëndrojë Moçka te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë, keni menduar për të ardhmen?
Tani jam i fokusuar të mbyll edhe këto pesë javë që kanë mbetur. Le t’i mbyllim këto ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme njëherë dhe pastaj ka kohë për të menduar për vitin tjetër.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"