“Nuk trembemi nga Dinamo”, Vila: Teuta, gati për t’u rikthyer te triumfi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2022 | 11:24

“Nuk trembemi nga Dinamo”, Vila: Teuta, gati për t’u rikthyer te triumfi!

Teuta do të tentojë të qetësojë ujërat që e shqetësojnë për sa i përket mbijetesës. Me vetëm dy pikë mbi Egnatian, ku është edhe vendi që të çon në “play out”, “djemtë e detit” do të kërkojnë të shkëputen nga kjo zonë e ftohtë. Shansin e kanë ditën e nesërme me Dinamon në “Elbasan Arena”. Blutë nuk ndodhen në pozita të mira dhe kjo do të ishte sfida ideale për Teutën, por nga ana tjetër Dinamo luan shansin e fundit për mbijetesën në Superiore. Në prag të kësaj përballjeje ka folur në një prononcim për “Panorama Sport” futbollisti i Teutës, Emiljano Vila. Ai tregon atmosferën në ekip, prek pak ndeshjen e kaluar me Vllazninë dhe shprehet gjithashtu se sfida ndaj Dinamos ka vështirësinë e saj, por Teuta do të mundohet që të marrë maksimumin nga kjo sfidë.

Vila

Emiljano, vetëm 1 pikë me shkodranët…

Ndaj Vllaznisë e kishim përgatitur ndeshjen për fitore, por normalisht që duhet të ishim edhe të kujdesshëm. Vllaznia kur ka përballë ekipe që lënë hapësira është shumë e rrezikshme dhe mendoj se ashtu siç shkoi loja, barazimi ishte rezultati që kënaqi më shumë kundërshtarin. Nëse do të ishim pak më efektiv para porte, do ta fitonim ndeshjen.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes ndaj Dinamos?

Jo, asgjë nuk na tremb, siç e thashë, pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal kjo ndeshje, sepse është shumë e rëndësishme.

Mendoni se ky kampionat ka qenë më i fortë se viti i kaluar apo nuk shikoni diferenca?

Po, shoh që ka më tepër konkurrencë, shoh që cilësia e ekipeve është rritur. Është një garë e fortë ku çdo ekip po sheh për të arritur objektivat dhe besoj se do të jenë javë interesante deri në fund të kampionatit.

Cili është rivali më i rrezikshëm?

Ne kemi rival vetëm Dinamon, sepse do të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Ndeshje pas ndeshjeje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe jo të fortë. Unë e thashë që në këtë kampionat nuk ka diferenca.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"