“Nuk synojmë Superioren, por i ‘prishim’ punë kujtdo”, shefi i klubit të Luzit flet për “hirushen” e së Parës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 23:25

“Nuk synojmë Superioren, por i ‘prishim’ punë kujtdo”, shefi i klubit të Luzit flet për “hirushen” e së Parës

Luzi 2008 e ka nisur më së miri sezonin. Edhe pse debutues, kanë grumbulluar 4 pikë. Mundën fillimisht Flamurtarin dhe më pas barazuan me Orikun. Debutuesit e Kategorisë së Parë nuk kanë pretendime të mëdha, e megjithatë nuk i janë futur garës pa qëllim. Ata duan të bëhen faktor dhe rrjedhimisht mos diskutojnë mbijetesën. Këtë e thotë edhe shefi i klubit, në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

LUZI

Gëzim Bushi sqaron situatën që mbretëron në klub dhe paralajmëron se në fund të nëntorit edhe stadiumi do të jetë gati. “Ruajtëm grupin që na ngjiti këtu dhe afruam të rinj. Janë futbollistë që kërkojnë të bëjnë emër dhe do ta përdorin Luzin si ‘trampolinë’ për karrierën e tyre.

Në dy takimet e para kemi bërë mjaft mirë dhe të vjen vërtet keq për djemtë që nuk kryesojnë sot Kategorinë e Parë. Krahas punës së përditshme, ka mbi 2 muaj që po punojmë për rikualifikimin e fushës në stadiumin tonë. Jemi në fazën e mbjelljes së barit dhe shpresoj që deri në fund të nëntorit të jetë gati. Nuk pretendojmë të futemi në Superiore, pasi është vetëm viti ynë i parë. Por kemi edhe ne ambicie ama.

Dëshirojmë të japim më të mirën tonë e ta tregojmë takim pas takimi, se jo vetëm e kemi merituar të Parën, por mund dhe duhet të shohim lart. Meritë në këtë start tonin, ka padyshim trajneri. Jemi shumë të kënaqur me angazhimin e Lorenc Pashjas”, tha fillimisht zyrtari i klubit.

Nuk kishte si të mos ndalej te takimin e radhës, që i çon në Peshkopi. Ai shprehet se ata e njohin Korabin dhe e vlerësojnë maksimalisht atë. “Me Korabin jemi ndeshur disa herë dhe e njohim si na njeh edhe ai. Është një ekip që veçmas në fushën e vet jep maksimumin, po punojmë deri të shtunën për të udhëtuar drejt Peshkopisë me synimet tona për të vijuar paraqitjet mjaft të mira, pse jo shoqëruar dhe me pikë. Luzi 2008 do të vijojë të punojë fort dhe kokën ulur e duke parë ndeshje pas ndeshje për të dhënë më të mirën”, përfundoi Bushi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"