“Nuk shkojmë për barazim në Shkodër, gati për suksesin e radhës”, Hallaçi: Vllazni, të mundim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2020 | 13:16

“Nuk shkojmë për barazim në Shkodër, gati për suksesin e radhës”, Hallaçi: Vllazni, të mundim!

Rrahman Hallaçi po drejton Kukësin në një prej momenteve më delikate të klubit që kur është futur në Kategorinë Superiore. Ish-kapiteni legjendar i klubit verilindor, në mungesë të Skënder Gegës për shkak të problemeve shëndetësore, ia doli të udhëheqë skuadrën drejt fitores së parë ndaj Laçit. Tashmë Kukësin e pret sot në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi” ndeshja me Vllazninë kryesuese. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hallaçi flet me optimizëm para kësaj sfide, duke besuar se skuadra e tij do t’i shkaktojë humbjen e parë shkodranëve. Ai vlerëson kuqeblutë për ecurinë e mirë, por thekson se Kukësi nuk shkon në Shkodër për të marrë një pikë, por fitoren.

Hallaçi

Sa e ka ndryshuar situatën në skuadër fitorja e parë ndaj Laçit?

Ka rritur optimizmin në skuadër dhe rikthyer besimin e qetësinë. Nuk është momenti për të festuar sepse kemi shumë punë për të bërë. Kjo fitore erdhi në momentin e duhur, pasi nuk jemi në maksimumin tonë.

Luani në Shkodër, besoni se Kukësi do të vazhdojë me fitore?

Kemi një transfertë shumë të fortë përballë një Vllaznie të mirëorganizuar. Ne kemi objektivin tonë për këtë ndeshje, që do të thotë rezultat pozitiv. Jemi në ngritje nga dita në ditë dhe po punojmë me shumë kujdes në seancat stërvitore. Ndeshjet janë shumë afër, por mendoj se i kemi mundësitë për të arritur fitoren e radhës. E dimë që është e vështirë, por jo e pamundur. Po ndërtojmë një grup të mirëorganizuar taktikisht, pasi jemi një skuadër e re dhe lojtarët po kuptojnë këshillat që ne si staf teknik u japim.

Çfarë ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Nuk shkojmë me ndonjë problem në Shkodër, jemi gati për këtë sfidë speciale. Është rikthyer Kuper, por ende nuk është gati, pasi i duhen disa seanca stërvitore. Po presim edhe Hetemaj të na bashkohet me grupin. Kemi bërë shumë kilometra kundër Laçit, por të gjithë duhet të jenë gati, pasi ndeshjet luhen shumë afër me njëra-tjetrën.

auto_rrahman-hallaci1558722771

Fakti që trajneri Gega mungon prej ditësh, ka ndikuar psikologjikisht në ekip?

Sigurisht që po. Ne po e presim dhe shumë shpejt do jetë me ne. I urojmë shërim të shpejtë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me profesorin, flasim për çdo gjë me të.

Do t’i besoni ekipit fitues edhe në Shkodër apo mund të ndryshoni sërish formacionin?

Ende nuk kemi vendosur 100% se kush do të luajë nga fillimi. Kjo është një tjetër ndeshje dhe ndoshta mund të bëjmë ndonjë ndryshim për të mirën e skuadrës.

Vllaznia nuk ka pësuar asnjë humbje deri më tani, do të ishit i kënaqur edhe me një barazim ndaj një ekipi që ka pasur ecuri pozitive?

Na duhen pikët në këto momente, jo loja e bukur. Kemi lojtarë me kualitet dhe shumë shpejt do të kemi Kukësin e kompletuar me lojë dhe rezultate. Vllaznia e di mirë se kush jemi. Pra, jemi gjithmonë pretendentë kryesorë, prandaj dhe shkojmë për të fituar në Shkodër. Nuk shkojmë për barazim sepse kemi bërë merkato cilësore për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Natyrisht, barazimi nuk do ishte një dramë, por për ne pikët janë shumë të rëndësishme në këtë fazë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"