Nuk shënon gjithmonë Ikardi, tek Interi janë 11 goleadorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 11:47

Nuk shënon gjithmonë Ikardi, tek Interi janë 11 goleadorë

Shënon thuajse gjithmonë ai, por tani kapiten Mauro nuk është i vetëm. Interi i 7 fitoreve radhazi dhe mbrojtjes me më pak gola të pësuar (vetëm 6) në Serinë A, mban aktualisht një primat që vitin e kaluar dukej thuajse një mirazh: 21 golat e shënuar në 11 javët e para të kampionatit kanë si autorë 11 lojtarë të ndryshëm, një rekord këtë edicion i ndarë me Romën e Atalantën, kundërshtarin e sotëm të zikaltërve.

mauro ikardi

Bomberi që nuk ndalet është sërish argjentinasi: kapiteni u zhbllokua me Fiorentinën nga pika e penalltisë më 25 shtator e më pas u konfirmua me dopietat kundër Spalit e Lacios dhe golin në limite kundër Milanit (6 gola në 4 ndeshjet e fundit të luajtura nga Ikardi, që qëndroi në stol kundër Kaljarit e Xhenoas). Thuajse i “njëjti” skenar me kampionatet e kaluara, por forca e Interit tashmë qëndron në një tjetër aspekt, ose më saktë te 10 lojtarët (përtej Mauros), që duke nisur nga gushti u kanë siguruar së paku një gol zikaltërve. Kjo po është risi: Interi i një sezoni më parë u ndal në 12 golashënues në total, ndërsa në këtë pikë të kampionatit kishte arritur në 7, nga të cilët Ikardi e Perisiç mbanin firmën në 15 rrjeta (11 plus 4).

klas

I LUMTUR – Pikërisht për këtë arsye Spaleti kishte këmbëngulur te vështirësitë e sulmit të tij, kur Mauro dhe Ivani nuk shënonin. Megjithatë, trajneri toskan gëzon ende golat e forcave kryesore të sulmit, por i janë shtuar edhe disa të tjerë: Brozoviç (2), Naingolan (2), Galjardini (2), Politano (2), Kandreva, D’Ambrozio, De Vraj, Zhoao Mario e Lautaro (nga 1). Një “kooperativë golash” që i siguron më shumë paparashikueshmëri fazës ofensive dhe që thjeshtëson zëvendësimet pa rrezikuar humbje në repartin sulmues. E jo vetëm. Interi i këtij viti, që në Europë paraprihet vetëm nga Borusia e Dortmundit (14 golashënues në 10 ndeshje) e PSG-ja (12 në 12), shënon praktikisht vetëm nga brenda zonës së rreptësisë, territori i preferuar i Ikardit. I vetmi që ka shënuar nga jashtë zone në Serinë A është Marselo Brozoviç, në “Olimpico” kundër Lacios. Në pritje që të zhbllokohet edhe Keita, pasi Spaleti ka nevojë për të gjithë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"