“Nuk rrihet pa futboll, Teuta është gati për titullin”, Rustem Hoxha: Duhet të mbarojë njëherë e mirë bojkoti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 21:05

“Nuk rrihet pa futboll, Teuta është gati për titullin”, Rustem Hoxha: Duhet të mbarojë njëherë e mirë bojkoti

Rustem Hoxha është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Teutës. Ai luan së bashku me Arapin në qendër të mbrojtjes dhe aktualisht së bashku kanë formuar një “digë” të vërtetë në mbrojtjen blu, ku Hoxha ka bërë paraqitje të mira dhe pret që të ketë sukses me klubin durrsak. Shtatlarti i rritur në Akademinë e Teutës është pjesë e rëndësishme e ekipit. Si djalë shtëpie Hoxha, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se duhet të gjendet një zgjidhje që të jetë më e mira dhe të vazhdojë futbolli i luajtur, sepse me bojkot nuk vazhdohet më.
rustem hoxha
Futbolli vazhdon bojkotin, çfarë ndikimi ka kjo te një ekip dhe një lojtar?
Normale që ka një ndikim negativ në shumë aspekte, pasi është hera e dytë që zgjatet kaq shumë pa luajtur futboll pas karantinës. Nuk është gjë e mirë kjo periudhë pa luajtur ndeshje për ne futbollistët, pasi humbasim formën. Stërvitja që zhvillohet gjatë javës ka objektiv ndeshjen. Tani duket sikur jemi pa objektiv dhe ka shumë ndikim. Unë shpresoj që të gjendet një zgjidhje që të jetë më e mira dhe të vazhdojmë futbollin e luajtur. Shkurt, duhet gjendur një zgjidhje se edhe kështu nuk vazhdohet më. Teuta do të ketë pretendime të mëdha.

Tani që janë afruar vërtet lojtarë cilësor, a do të guxonte Hoxha të thoshte “po jemi për titull”?
Është e vërtetë që kemi afruar lojtarë me emër në kampionatin shqiptar, por mendoj që plus i madh është se kemi ruajtur grupin. Personalisht mendoj që do jetë një sezon shumë i luftuar për titullin kampion, sepse nuk shoh shumë diferenca mes ekipeve. Janë pesë skuadra që unë shoh për titull. Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën që të arrijmë këto objektiva që na ka vendosur klubi. Do të stërvitemi mirë çdo seancë, pasi vijmë nga një vit i suksesshëm dhe tani gjërat kanë ndryshuar, duhet të stërvitem dyfish për të arritur objektivat që na vënë klubi dhe që i kemi vendosur vetes.

Ekipi është i gjithi i dubluar dhe rrjedhimisht konkurrenca është shtuar, çfarë do të thotë kjo për ju?
Unë personalisht mendoj se gjëja më e mirë që mund të ketë një skuadër është konkurrenca. Mendoj që këtë sezon kemi një konkurrencë shumë të mirë dhe është diçka që do na shërbejë të gjithëve për t’u rritur si lojtarë.

Pas një faze përgatitore të stërgjatë, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?
Normale që jemi gati. Mezi po presim të nisë kampionati. Ne kemi qenë gati edhe më përpara, pasi kemi qenë në aktivitet me ndeshjet e Europës dhe ishim në ritëm. Unë mendoj që kjo periudha bojkotit na ka prishur punë, por besoj se ne jemi sërish gati dhe do të përgatitemi ta nisim kampionatin, gjithmonë nëse fillon ta nisim me fitore.
teuta partizani
Si është gjendja juaj, pasi keni kaluar një dëmtim, por ndaj Partizanit ju pamë në fushë për 90 minuta?
Gjendja ime është shumë mirë. Shyqyr Zotit nuk kisha ndonjë dëmtim të rëndë ishte një dëmtim i lehtë që kaloi në ndeshjen ndaj Partizanit. E provova të luajta 90 minuta dhe isha shumë në rregull nga gjendja fizike.

Si iu duk ndeshja miqësore ndaj Partizanit dhe a mendoni se jeni gati për kampionatin?
Mendoj që zhvilluam një ndeshje pozitive ndaj Partizanit, pasi edhe ata kanë një ekip mjaft cilësor. Mendoj se ata do jenë një nga ekipet pretendente për titull. Mendoj që kemi edhe disa gjëra për rregulluar dhe besoj se do i rregullojmë, që të jemi gati për kampionatin.

Shorti i ka rezervuar Teutës ndeshjen e parë më Skënderbeun në shtëpi. Mendoni se do ta nisni mbarë?
Mendoj që do jetë një ndeshje e vështirë Skënderbeu ka një ekip të mirë unë e kam ndjekur dhe e kam parë në ndeshje miqësore dhe më ka pëlqyer si ekip. Trajneri Ahmataj mendoj se ka bërë një punë shumë të mirë deri tani dhe pres një ndeshjeje shumë të vështirë, por uroj dhe do të bëjmë maksimumin që ta nisim me fitore. Kam besim se do t’ia arrijmë.

Kur shihni merkaton e bërë, cili është ai ekip që do ta shihni si rival gjatë kësaj gare?
Nga sezonet e kaluara mendoj që skuadrat kanë bërë një merkato të kujdesshme dhe kanë përforcuar ekipin në pikat e tyre të dobëta dhe mendoj që do jetë një vit shumë i luftuar për të arritur objektivin titull dhe Europën. Na lind shumë punë për të arritur aty ku duhet.

Në aspektin personal çfarë synimesh keni me Teutën?
Synimi im është që të bëj paraqitje më të mira se sezoni që lamë pas, dhe së bashku me skuadrën të arrijmë ato objektiva që ka vendosur klubi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"