“Nuk prisja dhuratë nga Vllaznia”, Shehi: Me Laçin si finale, për numrin e golave pyesni Shkurtajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2020 | 11:12

“Nuk prisja dhuratë nga Vllaznia”, Shehi: Me Laçin si finale, për numrin e golave pyesni Shkurtajn

Orges Shehi nuk priste ndonjë dhuratë nga Vllaznia kundër Tiranës. Kukësi i tij është i detyruar të fitojë sot në Laç për të mbajtur diferencën -6 nga bardheblutë kryesues, të cilët fituan dje në “Selman Stërmasi” dhe shkuan sërish +9. Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri i Kukësit ka thënë ndër të tjera se beson te fitorja në Laç dhe është i bindur se skuadra do t’i shkojë titullit deri në fund.
ORGES SHEHI
Orges, luani 24 orë pas ndeshjes së Tiranës. Është më mirë apo më keq për ekipin nga ana psikologjike duke qenë se e dinë rezultatin e rivalit?
Unë mendoj se nuk ka ndikim, sepse ne jemi koshientë që duhet të fitojmë finalen tonë të radhës. Pastaj fiton apo nuk fiton Tirana, punë për ta. Ne mendojmë vetëm për ndeshjen tonë të radhës në Laç.
VLLAZNIA BYLIS1
Prisnit ndonjë dhuratë nga Vllaznia në sfidën ndaj rivalit tuaj?
Shiko, ne nuk presim dhurata nga askush. Unë si profesionist gjykoj se çdo ekip ka objektiva për të arritur, përfshi këtu dhe Vllazninë. Çdo skuadër këtu lufton për fatin e vet dhe jo për të tjetrit.

A mund ta quajmë ndeshjen në Laç si më delikaten e këtij sezoni për Kukësin?
Gjykoj që është ndeshje e rëndësishme për vazhdimin e rrugëtimit dhe objektivave.

Çfarë pritni dhe sa besim keni që do ta fitoni këtë takim?
Duke parë ekipin, vullnetin, besimin, formën që ne kemi shfaqur gjatë këtyre katër ndeshjeve postpandemie, por dhe përkushtimin dhe punën e jashtëzakonshme të çunave në stërvitje, unë kam shumë besim se do dalim me sukses nga kjo përballje. Këtë ndeshje e kemi trajtuar si finale në aspektin tekniko-taktik.

Ka diçka që ju shqetëson para kësaj ndeshjeje?
Jo, nuk më shqetëson asgjë para këtij takimi. Ekipi ka arritur një formë mjaft të konsiderueshme. Dëshira, karakteri dhe lidhja që ne kemi me njëri-tjetrin, na bën një ekip shumë të fortë. Ecim besimplotë e me kokën lart drejt së ardhmes. Të gjithë lojtarët tanë një për një janë mjaft të mirë dhe ndihemi të sigurt.

Me llogaritë që ju bëni, kur mendoni se mund të vendoset titulli kampion?
Ne kemi fituar tri beteja nga tri të luajtura deri më tani, por për të fituar luftën na duhen dhe shtatë ndeshje të tjera. Po të arrijmë të fitojmë finalet tona, besoj se në fund do jemi ne ata që do e fitojmë titullin. Nuk mund të them kur do të vendoset titulli, por di që ne nëse do arrijmë t’i fitojmë betejat me radhë, do kurorëzohemi në fund. Rruga është shumë e vështirë, por unë kam besim te këta futbollistë, të cilët kanë treguar me vepra se kanë shumë cilësi. Thjesht na duhet pak fat dhe mendoj se jemi në rrugë të mbarë.
enis gavazaj
Gavazaj u dëmtua në ndeshjen e fundit, a do të jetë i gatshëm në Laç?
Gavazaj pati pak probleme në kavilje prej një goditjeje në ndeshjen e fundit. Nuk është në 100-përqindëshin e tij. Gjithsesi, me të parë e me të bërë me të. Ai është një futbollist mjaft i mirë, një djalë që ka kurajë e shpirt sakrifice, ndaj çdo gjë mbetet mes tij dhe stafit teknik dhe atij mjekësor.
Shkurtaj
Keni thënë në “Panorama Sport” për Shkurtaj se do të arrijë në kuotën e 26 golave. Menjëherë sulmuesi u përgjigj me tripletë ndaj Flamurtarit. Prisni që edhe në Laç të jetë ai vendimtar?
(Qesh) Për këtë duhet të pyesni Vasilin, unë kam besim që ai do t’i shënojë 26 gola, sepse realisht është sulmuesi më i mirë i kampionatit tonë. Unë kam besim në vetvete dhe në instinktet apo projeksionet e mia, bazuar në elementë realë që i shoh përditë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"