“Nuk pres surpriza në Kupë, e vështirë edhe ngjitja”, Memushi: Resuli nuk e mbajti presionin te Flamurtari! Vllaznia favorite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 14:22

“Nuk pres surpriza në Kupë, e vështirë edhe ngjitja”, Memushi: Resuli nuk e mbajti presionin te Flamurtari! Vllaznia favorite

Eqerem Memushi ia di “hilet” Kupës së Shqipërisë. Jo vetëm prej eksperiencës së gjatë që zotëron si futbollist apo trajner, por pasi e ka fituar atë me kuqezinjtë në kohën e Shpëtim Gjikës (konkretisht në 2009-ën, në finalen kundër Tiranës). Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai e thotë troç që Flamurtari nuk është favorit, por të njëjtin mendim ka edhe për Orikun dhe Labërinë. Për trajnerin e njohur kjo gjë nuk lidhet me emrin e madh të kundërshtarëve, por prej përbërjes që ata kanë. Të fortë e parashikon edhe garën për t’u ngjitur në Superiore, pavarësisht se vlonjatët i fut në mesin e pretendentëve. Ka edhe një koment për dorëheqjen e Dritan Resulit, ndërsa kujton edhe deklaratën që pati dhënë para se të niste kampionati. Sipas tij ai nuk e kaloi dot provën dhe as e mbajti dot presionin, ndaj iku direkt pas javës së parë.

eqerem memushi

Kupa e Shqipërisë e vendos Flamurtarin përballë Vllaznisë. Një përballje me aromë elite dhe historie. A mendoni se vlonjatët do ta bëjnë surprizën?

Nuk ka asnjë lloj surprize. Duke parë kontingjentin, ecurinë e gjendjen dhe vetë kategoritë që ndajnë skuadrat, për mua favorite është Vllaznia.

Pse nuk e shikoni edhe Flamurtarin favorit? Pse nuk e shikoj?

Po nisja nuk ka qenë e mirë. Shpresojmë në të ardhmen… Kalendari sa vjen dhe vështirësohet, ndeshjet bëhen gjithmonë edhe më të delikate.

Ok, por Idrizi thotë se Vllaznia nuk është ëndërr për ta dhe se Flamurtari ka emrin e madh dhe historinë…?

Nuk diskutohet kjo. Emri mund të jetë shumë i madh, por përbërja brenda në skuadër ka shumë diferenca. Mjafton të shohësh emrat që ka Vllaznia dhe ato që ka Flamurtari në organikë.

Që të tria ekipet e Vlorës e kanë “zjarr” turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Oriku dhe Labëria përballë do të kenë Partizanin dhe Kukësin… a do të kemi ndonjë skuadër labe të kualifikuar?

Ju bëni pyetjen si gazetar dhe shumë mirë që e mbani në tension aktivitetin e Kupën së Shqipërisë. Por po e thoni edhe vetë që duke parë emrat, nuk e di, nuk kanë asnjë lloj shansi për të kaluar më lart. Asnjë lloj shansi!

Si e vlerësoni ecurinë e Flamurtarit në këto tri javë kampionat?

Fitorja me Turbinën i shërbeu mjaft mirë skuadrës edhe për qetësinë. Tani në ndeshjen e radhës luajnë me një kundërshtar direkt si Besa. Por edhe ata kanë pretendimet e tyre, siç ka edhe Flamurtari ngjitjen në Superiore.

Ngjitet ky Flamurtar në elitë?

Shiko, skuadrat aty janë. Unë e kam thënë që në fillim, ne konkurrentët që kishim, mendoheshin që do të ishin Dinamo dhe Skënderbeu. E ndoqa Skënderbeun me Orikumin në Fier. Ishte një skuadër që nuk më la përshtypjen që mund të pretendojë të ngjitet në Superiore. Me atë kontingjent lojtarët, ishte një skuadër më se mesatare në këtë kategori. Nuk kishte ndonjë lojtarë që të bënte diferencën dhe që të merrte skuadrën përdore. Djem të rinj, mundoheshin të luanin mirë, por pa forcë konkluduese. Në fazë finale ishin shumë të dobët.

Cilat skuadra shikoni si pretendente për Superioren?

Kandidaturën e kanë shfaqur shumë skuadra, si Flamurtari, Besa, Tomori, Apolonia. Të shohim tani…

Trajneri Resuli dha dorëheqjen qysh në javën e parë. Keni një koment?

Unë jam shprehur shumë qartë në një intervistë me ju përpara se të fillonte kampionati, në lidhje me trajnerin. E kishte një provë. Ai nuk duroi dot presionin… për mua që këtu duket.

Ju duket veprim i nxituar?

Nuk duroi dot presionin dhe… Tani bën vaki, ndeshja e parë nuk është ndonjë hata e madhe. Çdo skuadër e humbet, nuk ka ndonjë gjë, pasi kampionati është i gjatë. Ke humbur një betejë, por nuk ke humbur luftën. Megjithatë, janë problemet e tij. Unë para se të fillonte ky sezon thashë që për Resulin do të jetë një provë, do të hyjë në atë listën e trajnerëve apo jo. Ai nuk e çoi deri në fund, nuk e di pastaj, problemi është i tij. I urojmë suksese në të ardhmen.

Flamurtari ka emëruar Alfred Ferkon si drejtorin e klubit. Si e vlerësoni këtë zgjedhje?

Shumë mirë. Vlerësim i madh. Alfred Ferko është një emër i madh i futbollit. Ka edhe ai pjesën e tij të futbollit te Flamurtari. Mendoj se ka qenë një zgjedhje e presidentit direkt dhe i urojmë suksese Alfredit, ishallah pastë këmbën e mbarë dhe mbase e çon Flamurtarin në Superiore.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"