“Nuk pranoj humbje deri në dhjetor 2022”, Mançini paralajmëron Spanjën: Dua ta ngre këtë trofe në shtëpi, por edhe Botërorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2021 | 11:21

“Nuk pranoj humbje deri në dhjetor 2022”, Mançini paralajmëron Spanjën: Dua ta ngre këtë trofe në shtëpi, por edhe Botërorin

Italia e futbollit, por edhe e sporteve të tjera, nuk ka reshtur së bëri festë këtë vit, duke kujtuar rekordet në Olimpiadë apo edhe fitoret e Europianit të volejbollit për femra e meshkuj.

Mancini

Gjithsesi, ideja e Roberto Mançinit është ajo që atmosfera të mos ndryshojë as mbrëmjen e sotme, kur në “San Siro”, në orën 20:45, do të luhet gjysmëfinalja e Ligës së Kombeve kundër Spanjës (gjithçka do të vendoset në 90 minuta), madje kërkon që pas çatisë së Europës të mund të ulet edhe mbi atë të botës, në pritje të “Katar 2022”. Të gjitha këto trajneri i “Axurrëve” i thotë hapur dhe qartë në konferencën për shtyp.

SPANJA – “Dua që të mundim Spanjën, madje objektivi është ai që të vazhdojmë të zgjasim serinë tonë prej 37 ndeshjesh pa humbje shumë më tej. Nuk jam i çmendur kur i them këto fjalë, pasi të humbësh apo të fitosh varet nga ne. Ideja është që t’u japim vazhdimësi përmirësimeve tona dhe pa dyshim të pasurojmë edhe më tej grupin tonë të futbollistëve.

Luis Enrike ka të drejtë kur thotë se herët a vonë edhe neve do të na duhet të humbim, por unë i përgjigjem se ideja është që ne të mos humbim asnjë ndeshje deri në dhjetor 2022 (atëherë kur luhet edhe finalja e Kupës së Botës)…

Sa e rëndësishme është Liga e Kombeve? Shumë, pasi jo vetëm jemi kampionët në fuqi të Europës, por në të njëjtën kohë e luajmë këtë turne në shtëpi. Dua ta ngre këtë trofe para tifozëve tanë dhe, mbi të gjitha, duke marrë shkas nga fakti se në këto gjysmëfinale garojnë 4 kombëtaret aktuale më të forta të Europës, për ne do të ishte një tjetër hap i madh dhe një tjetër sinjal i fortë në pritje të Botërorit në Katar vitin e ardhshëm”.

FORMACIONI – Lidhur me faktin që ndaj Spanjës do të mungojë Çiro Imobile, Roberto Mançini gjithsesi nuk kërkon që të kërkojë alibi. “Është e vërtetë që na mungojnë disa prej lojtarëve të grupit që triumfuam në Londër, por i tillë është futbolli. Sa ndikon Imobile? Çiro ka cilësi fantastike dhe sigurisht që do të na mungojë, por në sulm janë gati edhe të rinj interesantë si Ken e Raspadori, ndaj nuk kam pse të qahem.

Një Itali pa pykë ndaj Spanjës? Mund të ndodhë, por nuk e kam menduar ende zgjidhjen. Pse zgjodha Dimarkon në vend të Tonalit? Sepse Dimarkon e njoh shumë herë më mirë dhe debutimin në Serinë A ia kam dhënë unë atij. Në të njëjtën kohë, Tonali po bën një sezon fantastik deri tani, por edhe U-21 ka nevojë për lojtarë cilësorë, duke parë ndeshjet e forta në eliminatoret për Europianin”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"