Nuk po përshtatet dot me futbollin gjerman, Hames Rodrigez mendon kthimin te Real Madridi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 12:11

Nuk po përshtatet dot me futbollin gjerman, Hames Rodrigez mendon kthimin te Real Madridi

Një prej blerjeve më të reja të skuadrës bavareze, kolumbiani Hames Rodrigez duket se e ka mjaft të vështirë përshtatjen në klubin e kampionëve gjermanë, sidomos pas largimit të teknikut italian, Karlo Ançeloti, i cili ishte arsyeja përse kolumbiani zgjodhi të largohet nga Reali i Madridit për t’iu bashkuar skuadrës bavareze.

Hames Bajern

Sipas mediave spanjolle, Hames është duke konsideruar një rikthim në ish-skuadrën e tij, Realin duke i dhënë fund huazimit dyvjeçar. Sipas këtyre burimeve, Rodrigez do të qëndrojë në skuadrën e kampionëve gjermanë deri në verën e ardhshme, ku më pas do të diskutohet lidhur me të ardhmen e tij. Rodrigez është larguar nga skuadra e Realit të Madridit pasi vetë trajneri Zidan e kish kaluar atë në planin e dytë, duke mos e aktivizuar.

Pas rikthimit të legjendës Jup Hejnkes në drejtimin e skuadrës bavareze, Hames pritet ta ketë më të vështirë për t’u kuptuar me trajnerin, kjo edhe për shkak të njohurive jo të mira të gjuhës gjermane dhe ndryshimeve kulturore që ai po përjeton në Gjermani.

Në këtë mënyrë, shefat e klubit bavarez mund t’i kursejnë rreth 50 milionë euro shpenzime nëse arrijnë ta mbyllin marrëveshjen me mesfushorin kolumbian, i cili, gjatë sezonit të ri të Bundesligës, ka luajtur vetëm tri herë me fanellën e Bajernit duke shënuar vetëm një gol. Mirëpo Hejnkes ka shprehur mbështetje të plotë për kolumbianin duke thënë:

“Hames nuk e flet gjuhën gjermane dhe futbolli këtu ka shumë ndryshim nga ai që luhet në Amerikën e Jugut, çka krijon shumë vështirësi për një lojtar si ai. Megjithatë, ai do të ketë mbështetjen time maksimale, pasi më pëlqejnë shumë lojtarët e talentuar si ai. I kam parë ndeshjet që ka luajtur te Reali i Madridit, por nuk e njoh personalisht. Kur ai të rikthehet sërish, do t’i jap disa këshilla”.

ANTON LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"