“Nuk po përshtatem”, Mane gjen shkakun e vështirësive në Gjermani: 8 vite të shkëlqyera në Angli, ndërsa te Bajerni…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 15:05

“Nuk po përshtatem”, Mane gjen shkakun e vështirësive në Gjermani: 8 vite të shkëlqyera në Angli, ndërsa te Bajerni…

Sadio Mane u cilësua si transferimi më i zgjuar në merkaton e verës, e cila u mbyll para një muaji. Sulmuesi afrikan ndryshoi ekip në sezonin e ri, edhe pse ngjyrat mbetën të njëjta. Fjala është për kalimin nga Liverpuli te rekordmenët e Bajernit për shifrën e 32 milionë eurove.

mane

Aventura e re si bavarez shkoi më së miri me pritje triumfuese nga tifozëria, e cila u konkretizua më pas me përshëndetjen e rrjetës në Superkupën e Gjermanisë dhe golat me kërshëri në Bundesligë.

Situata filloi të ndryshojë pas muajit të parë, u duk se mjali për të mbaroi para kohe, për t’i lënë vend thatësirave në gol, e cila u përkthye në një lumë kritikash nga drejtime të ndryshme. Goli dhe fitorja ndaj Leverkuseni zbutën disi qëndrimet ndaj lojtarit 30-vjeçar.

Është fakt se Manesë iu deshën pak më shumë se 1 muaj për të shënuar gol me fanellën e Bajernit, konkretisht rrjeta e fundit i takon datës 31 gusht ndaj Viktoria Këlnit në Kupë, e thënë ndryshe 5 takime thatësirë, përfshirë ndeshjet e Bundesligës dhe Champions-it.

Së fundmi Sadio ka rrëfyer vështirësitë e përshtatjes në ambient dhe kampionat të ri, sfida e re si bavarez: “Nuk është e lehtë të kalosh nga një klub në tjetrin, ambientimi është i vështirë. Kanë qenë 8 vite të shkëlqyera në Angli (6 me Liverpulin dhe 2 me Sauthemptonin), tashmë jam në vend tjetër. Ndonjëherë gjërat ndryshojnë shumë shpejt dhe ti papritur ndodhesh diku tjetër, kështu mund ta përkufizoj edhe rastin tim në ‘Allianz Arena’”, pohoi senegalezi.

30-vjeçari tregoi edhe seancat përgatitëse në klubin e ri: “Ajo që më befason më shumë është uria e lojtarëve në këtë klub, të gjithë japin maksimumin, jo vetëm në ndeshje, por edhe në seancat stërvitore. Të luash përkrah lojtarëve kaq të talentuar është më tepër kënaqësi, sesa përgjegjësi”, përfundoi Mane për kanalin “UEFA.com”.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"