“Nuk pendohem për Rashicën, kemi objektiv të japim maksimumin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2016 | 11:38

“Nuk pendohem për Rashicën, kemi objektiv të japim maksimumin”

Trajneri i kombëtares shqiptarë të futbollit, Xhani De Biazi, doli mesditën e sotme në një konferencë për shtyp për të shpallur listën e futbollsitëve të grumbulluar për ndeshjet ndaj Marokut dhe Maqedonisë.

de biazi1

Në fillim të fjalës së tij, trajneri foli për largimin e kapitenit Lorik Cana: “Cana nuk do të jetë më pjesë e ekipit. Ai ka qënë një lider i vërtetë dhe e falenderojmë për atë që i ka dhënë kombëtares.”

Sa i përket kapitenit të ri të skuadrës, De Biazi tha: “Do ta vendosim gjatë ditëve të grumbullimit.”

Në lidhje me takimin hapës të kualifikueseve ndaj Maqedonisë dhe grupin e vështirë në të cilin bëjmë pjesë, De Biazi kërkoi përqëndrim maksimal nga futbollistët: “Grupi jonë është shumë i vështirë pasi kemi Italinë, Spanjën, Izraelin që janë skuadra shumë të forta, por edhe me Maqedoninë duhet të japim 101% pasi rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe. Duhet të harrojmë çfarë kemi bërë në Europian. Ajo duhet të na shërbejë vetëm si eksperiencë.”

Objektivat e kualifikueseve janë gjithnjë të rëndësishme, por De Biazi u shpreh: “Objektiv kemi të bëjmë maksimumin e mundshëm. Kjo është kërkesa e Federatës ndaj meje.”

Futbollistet e Kombetares ne Europian

Para disa ditësh Shqipëria humbi në tavolinë miqësoren me Luksemburgun, por trajneri italian nuk shqetësohet shumë për diçka të tillë: “Do të biem pak në renditjen e FIFA-s por do të përgatitemi për t’u ngjitur sërish.”

De Biazi nuk shfaq keqardhje për të larguarit. I pyetur për këtë temë, ai tha: “Nuk kam parë eksod në kombëtare. Janë larguar ata që nuk kishin hapësira dhe kanë shkuar te Kosova për më shumë shanse. Meha dhe Rama për shembull nuk ishin pjesë e kombëtares prej kohësh.”

Sa i takon një rivaliteti të mundshëm me trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin, italiani nuk u ndal gjatë: “Nuk kam folur prej kohësh me trajnerin e Kosovës. Në këndvështrimin tim ai nuk ka bërë asgjë të çuditshme.”

Nuk ka asnjë pendesë për mosgrumbullimin e Rashicës në Europian teksa thotë: “Edhe po të kthehesha pas në kohë, Rashica do të qëndronte në shtëpi. Rezultatet e treguan që unë kisha të drejtë për zgjedhjen time. Me ne do të luajë kush ka dëshorë të jetë pjesë e skuadrës.”

Largimi Gjimshiti Rashica

Problemet në mbrojtje janë të dukshmë tashmë, por ai i ka idetë e qarta: “Baza e mbrojtjes është ajo e Francës e palëvizur. Loriku bëri zgjedhjen e tij, ndërsa Ajeti për arsye shëndetësore nuk është në këto ndeshje, por me Francën dhe Rumaninë ka dhënë kontribut shumë të mirë. Ndërkohë pjesa tjetër do të jenë Mavraj, Gjimshiti, Veseli, Aliji, Hysaj dhe Agolli.”

Ndërkohë merkato e futbollistëve pas Europianit e ka zhgënjyer disi De Biazin.

“Sigurisht që prisja diçka më shumë nga merkato, por gjithsesi Europiani i ka ndihmuar lojtarët të shkonin në ndonjë ekip tjetër pasi ka qënë një shtysë më shumë për karrierën e tyre.

Sadiku edhe mund të lëvizë deri në fund të transferimeve sepse është një lojtar që është rritur shumë, por Zyrihu luan në Ligën e Europës ndaj nuk dëshiron ta lejojë të largohet”, përfundoi deklaratën e tij tekniku i kuqezinjve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"