“Nuk ngjitesh vetëm me talente”, presidenti Bizhdili: Në bisedime me 5 lojtarë të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2021 | 19:40

“Nuk ngjitesh vetëm me talente”, presidenti Bizhdili: Në bisedime me 5 lojtarë të Superiores

Besa nuk pushon. Pas lajmit të largi meve të 3 lojtarëve (Jetmir Sefa, Egzon Shimaj e Florian Peqini), në klub kanë filluar bisedimet për afrimet. Përtej heshtjes disaditore të presidentit Nexhat Bizhdili, mësohet se ai ka vijuar punën nën rrogoz për të bindur lojtarët që ka në plan.

Bizhdili-2

Duke mos dashur që të bëjë publik asnjë nga emrat me të cilët është në kontakt, enkas për “Panorama Sport” ai na zbulon rolet. Pas këmbënguljes sonë ai pranoi të sqaronte disa nga piketat e rindërtimit të kavajasve për sezonin 2021-2022.

“Përtej promovimit dhe besimit që kam te lojtarët e rinj e të talentuar të Besës, përvoja e gjatë në menaxhimin e ekipit më ka mësuar se si mund të ngjitesh në Kategorinë Superiore. Në elitë rikthehesh vetëm duke pasur në përbërje të grupit futbollistë që më herët kanë luajtur në atë nivel”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.

NEGOCIATAT

Pavarësisht se nuk pranon të thotë emrat konkretë, na sqaron pozicionet e futbollistëve me të cilët vijon punën për t’i bindur për të qenë pjesë e Besës. Mes radhëve ai na konfirmon edhe rikthimin e Kaina Nunjes, i larguar pa u mbyllur mirë kampionati. Ai ka ikur në Brazil, por do të vijë sërish. Derisa ka kontratë, marrëveshja me të vijon.

Bizhdili

“Është herët t’ju citoj emrat konkretë, pasi jemi në fazë bisedimesh dhe shpresoj të marr dakordësinë e secilit prej tyre. Ajo për të cilën mund t’ju jap të dhëna, ka të bëjë me pozicionet ku ata luajnë. Kështu, janë dy ishqendërmbrojtës që kanë luajtur me disa klube në Superiore. Prurja e tretë do të jetë një sulmues, i cili gjithashtu ka luajtur në elitë, që do të luajë përkrah Kainës. Përveç tyre, synoj edhe dy mesfushorë ofensivë.

Këta janë të rinj në moshë, por me përvojë në Superiore. Ende nuk kam një ide për një alternativë tjetër në portë përkrah portierit tonë titullar Dobjani”, përfundoi presidenti, që me sa duket, po kërkon edhe një tjetër gardian. Duke nisur nga kjo fundjavë do të nisim të zbulojmë dhe emrat konkretë të futbollistëve me të cilët Nexhat Bizhdili po tenton që të arrijë dakordësinë për të veshur fanellën verdhezi, misionin e zakonshëm: ngjitjen në elitë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"