“Nuk na tremb Lushnja pavarësisht përvojës”, Mërgjyshi: Besoj shumë te ky grup, por nuk duhet të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2019 | 15:17

“Nuk na tremb Lushnja pavarësisht përvojës”, Mërgjyshi: Besoj shumë te ky grup, por nuk duhet të…

Apolonia është transformuar në këto 4 javë. Ka rigjetur pikët, golat, moralin dhe mbi të gjitha është ngjitur në renditje. Shanset për të kapur majat sa vijnë edhe rriten dhe ndoshta mundësia më e mirë vjen këtë fundjavë, kur do të përballen me Lushnja. Kundërshtari ka pësuar rënie të lirë. Nëse deri para pak kohësh ishte e para, tashmë ka zbritur dy shkallë në renditje. Por, Artan Mërgjyshi nuk do të merret me këto statistika, madje u kujton të tijve se nuk duhet të “fluturojnë”. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai skanon ecurinë e fierakëve dhe refuzon shprehjen “hakmarrje” përballë këtij rivali historik.mergjyshi

Apolonia ka gjetur lojën, golat, pikët dhe renditjen në këto 4 javë. Çfarë ka ndryshuar te kjo skuadër?

Për analizë, ju kujtoj se edhe në momentet më të vështira, unë kurrë nuk e kam humbur besimin te grupi që kam. Sigurisht që do të ketë edhe ngërçe, bllokime, mosfunksionim momental, ditë të këqija. Luan mirë, por barazon apo humbet. Siç i ndodh çdo ekipi, ama “kurba” e lojës, përvetësimi i filozofisë së duhur, funksionimi si grup kanë sjellë efiçencë dhe rezultate në rritje.

A është i kënaqur Mërgjyshi apo pret më shumë?

A jam i kënaqur? Le të themi, deri diku po. Kjo skuadër ka mundësi për shumë më tepër.

Keni thënë që prisni nga merkatoja e janarit. Beson Mërgjyshi që me këta “djelmosha”, Apolonia të renditet më së paku në dy vendet e para në fund të sezonit?

Është herët për të bërë parashikime. Jo se nuk kam besim apo një opinion të qartë për grupin, por nuk kemi pse “të fluturojmë”. Kampionati është i gjatë dhe ka të papritura. Duhet të marrim në konsideratë ulje-ngritjet, dëmtimet, mungesat, penalizimet. Në fund të fundit, një ndeshje nuk i ngjan tjetrës, ka ditë “tersi” e të tjerë faktorë që janë diktues dhe ndikues vendimtarë për ecurinë. Nuk na duhet “të shohim filxhanin” për të parashikuar fundin, por të përgatitemi si gjithmonë për ndeshjen e radhës.mergjyshi

Dhe kjo ndeshje e radhës ju përball me Lushnjën, një ndër rivalet kryesore të grupit…

Po, madje është ekipi më me përvojë në gjithë Kategorinë e Parë. Shikoni, çdo gjë mbetet pas, asgjë nuk vlen nga ecuria e javëve të fundit. E sidomos kur luhet një derbi i tillë, kaq i luftuar dhe me rivalitet të gjithëkohshëm, si LushnjaApolonia. Janë kundërshtare të denja karshi njëratjetrës dhe nuk duan t’ia dinë për faktorin fushë. Edhe fazën e parë ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe e paparashikueshme gjer në fund. Kemi luajtur më mirë se ata, edhe pse me 1 lojtar më pak gati gjithë pjesën e dytë, por humbëm – rezultati mbetet.

Çfarë prisni nga ky duel?

Skuadra jonë duhet ta ketë të qartë që nuk matet një kundërshtar si Lushnja me rezultatet e fundit. Me këtë duhet të them të mos e nënvlerësojmë. Sikurse mund të them që as nuk kemi pse “të trembemi” nga përvoja e tyre, sepse ne kemi strategjinë, filozofinë dhe taktikën tonë. Pra, të mos i mbivlerësojmë dhe të besojmë te vetja. Nuk ka vend termi “hakmarrje”; Apolonia luan për të fituar çdo ndeshje, ndaj çdo kundërshtari dhe në çdo fushë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"