“Nuk na interesojnë fjalët”, Kamarata: Apolonia ia del ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 11:31

“Nuk na interesojnë fjalët”, Kamarata: Apolonia ia del ndaj Kastriotit

Kundër Kastriotit, është një ndeshje e rëndësishme për Apoloninë, e detyruar për të marrë pikë. Fierakët janë futur në ethet e shpëtimit të sezonit, prandaj do të luajnë minimalisht për një barazim. Trajneri i Apolonisë, Fabricio Kamarata nuk kërkon as demoralizim, as eufori, as presion, por vetëm qetësi dhe përqendrim maksimal.

kamarata

“Do të luajmë kundër Kastriotit në një moment kur pikët për ne janë shumë të rëndësishme. Apolonisë nuk i interesojnë fjalë të shumta, komente të kota, zbukurime, por djersë dhe punë në fushë, në çdo ndeshje.  Dhe kur them në çdo ndeshje, kam parasysh edhe takimin e radhës. E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje, u kam dhënë lojtarëve udhëzimet e duhura dhe i kam këshilluar që të bëjnë lojën e tyre, pa ngarkesa”, thotë kryepankina fierake. Apolonia dhe Kastrioti vijnë nga Kategoria e Parë, por këtë sezon krutanët kanë bërë shumë më mirë se fierakët në Superiore. Megjithatë, ky fakt nuk e impresionon teknikun e Apolonisë dhe këtë frymë është përpjekur ta përcjellë në skuadër. “Kastriotin e kam njohur më tepër sezonin e kaluar, sepse ka qenë në grupin tonë dhe janë shpallur kampionë të Grupit A në Kategorinë e Parë. Por, edhe këtë kampionat ata kanë bërë një paraqitje të mirë, madje duke marrë rezultate pozitive dhe me ekipet më cilësore. Janë kundërshtarë që meritojnë respekt maksimal, por ne respektojmë veten tonë së pari, kështu që do të luajmë me të gjitha forcat për të marrë fitoren nga kjo ndeshje.

E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, por besoj tek aftësitë e skuadrës sonë. Le t’ia lëmë fushës, dhe le të fitojë ekipi që e meriton dhe unë sërish besoj që do të jetë Apolonia”, ka thënë për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Fabricio Kamarata. Italiani i pankinës fierake është hera e parë që ndeshet në Superiore me Kastriotin dhe do të jetë trajneri i tretë në stolin e Apolonisë në tri ndeshje që kanë zhvilluar këto dy skuadra mes njëra-tjetrës këtë sezon. Në fazën e parë, trajner i Apolonisë ka qenë Xhovani Kolela, në fazën e dytë skuadra është drejtuar nga trajneri provizor Bledar Borova, ndërsa këtë herë nga Kamarata, teksa Kastrioti ka pasur “stoik” në pankinë Ramazan Ndreun. Bilanci i dy ndeshjeve të para këtë sezon, është një fitore 2-1 për fierakët dhe një barazim 1-1.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"