“Nuk na falen gabimet që kemi bërë”, mefushori i Skënderbeut: Luajmë sezonin në pesë javë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2021 | 16:14

“Nuk na falen gabimet që kemi bërë”, mefushori i Skënderbeut: Luajmë sezonin në pesë javë

Skënderbeu vjen pas një fitoreje të rëndësishme në transfertë përballë një kundërshtari direkt për mbijetesën dhe kjo normalisht që e ka mbushur me entuziazëm kampin bardhekuq. Për një prej “zbulimeve” afrikane të Skënderbeut ishte e udhës që pas këtij suksesi ekipi të vijonte kalendarin për të shfrytëzuar në maksimum entuziazmin e krijuar nga ky sukses i fundit. Për Randi Dumfurin, një prej “pedinave” të rëndësishme të Memellit në mesin e fushës, ndërprerja e kampionatit në këtë moment nuk i shkon përshtat Skënderbeut, por diçka të tillë do të mundohen që ta përdorin në favorin e tyre për të shtensionuar situatën.

dumfur

“Jemi me moralin e lartë pas dy sukseseve atij në Kupë ku vijuam rrugën në këtë kompeticion për në turin tjetër pas fitores me Dinamon dhe një sukses tejet të rëndësishëm në Fier përballë Apolonisë. Kjo e dyta mund të them se ishte tepër e rëndësishme edhe për vetë faktin se luanim një finale përballë një kundërshtari direkt që nëse nuk e fitonim do të kishte shumë pasoja. Jemi të bindur se në kushte të tilla mund të kishim shfrytëzuar për mirë këtë moment me qëllim që të zhvillonim ndeshje të mira dhe të mundoheshim që motivimin ta kthenim në arsye për sukses. Por, gjithsesi, kalendari është vendosur prej kohësh, ndaj këtë moment pauze duhet që ta përdorim për t’u shtensionuar nga ngarkesat negative dhe të mundohemi t’i kthejmë në forcë për të ardhmen”, theksoi fillimisht Randi.

sKENDERBEU

MBIJETESA – Më tej Randi u ndal edhe tek objektivi kryesor i Skënderbeut që është shpëtimi nga rënia në një kategori më poshtë. Në kushte të tilla, mesfushori ganez i korçarëve theksoi se pesë ndeshjet e radhës janë vendimtare për këtë ekip dhe për të arritur objektivin minimal që korçarët po kërkojnë në këtë sezon. “Kemi bërë shumë gabime gjatë këtij sezoni dhe normalisht që të tilla gjëra nuk na falen. Kemi humbur takime që mund t’i fitonim dhe do të ishim më të qetë. Tani jemi në një moment kur gabimet nuk na falen dhe normalisht duhet të reagojmë për të treguar se jemi këtu për të mos tjetërsuar këtë fanellë që me të vërtetë qenka shumë e rëndë. Pesë ndeshjet e radhës për ne janë tejet decizive. Kampionatit e kemi me veten tonë dhe vetëm Skënderbeun kemi rival në këtë fund sezoni. Nëse ne marrim më të mirën e mundshme, atëherë ia dalim”, mbylli prononcimin e tij Randi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"