“Nuk na besonin ata që vendosën drejtësi në Shqipëri”, arbitri i ndeshjes së çmendur 6-6: S’kishte ndodhur as në futbollin amator

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 23:35

“Nuk na besonin ata që vendosën drejtësi në Shqipëri”, arbitri i ndeshjes së çmendur 6-6: S’kishte ndodhur as në futbollin amator

Në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Europës, u zhvillua një nga ndeshjet më të çmendura të këtij kompeticioni, në përballjen mes serbëve të Baka Topola dhe rumunëve të Steaua Bukuresht.

HIGLER

Pas 90 minutave të mbyllura në barazim 4-4, spektakli mes dy skuadrave vazhdoi edhe në shtesë, ku arritën të shënojnë secila nga dy herë, për ta mbyllur ndeshjen në një barazim të çmendur 6-6, duke ju drejtuar më pas penalltive, aty ku triumfues dolën rumunët. Megjithatë këtë ndeshje, nuk mund ta pasqyronte më mirë se arbitri që vendosi drejtësi, holandezi Denis Higler.

Ky i fundit në një intervistë të dhënë ka treguar se një ndeshje të tillë nuk e kishte parë as kur drejtonte në futbollin amator. “Ishte diçka shumë e veçantë. Unë nuk kam parë një ndeshje të tillë dhe me aq shumë gola as kur isha arbitër në futbollin amator.

Nuk di nga t’ia nis! Deri në minutën e 90’ rezultati ishte 3-3, në 93’ miqtë kalojnë në avantazh 4-3 falë një autogoli, ndërsa vetëm një minutë më vonë, rezultati barazohet. Minutat shtesë ishin një spektakël më vete. Ishte e mahnitshme, Baka Topola, mbetet me 9 lojtarë dhe rumunët shënojnë golin e 5-të, por vetëm një minutë më vonë barazohen përsëri. Më vonë u shënuan edhe dy gola të tjerë për të shkuar më pas te penalltitë.

STEAUA

Unë shkova te ndihmësit e mi dhe u thashë: ‘Nëse u tregojmë në shtëpi, nuk do të na besojnë për këtë që ndodhi’. Për mua nuk kishte asnjë problem, përkundrazi u ndjeva keq që mbaroi ndeshja. Ne ishim në gjendje shumë të mirë. Pas ndeshjes kam marrë shumë mesazhe. Gjatë kthimit për në Holandë udhëtuam me kolegët, ku ishte Joçem Kampuis, i cili kishte vendosur drejtësi në Shqipëri (në ndeshjen Laçi-Hapoel Ber Sheva). ‘Çfarë ka ndodhur?’, na pyetën ata, duke u shfaqur të habitur dhe mosbesues.”, u shpreh Higler.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"