“Nuk mund të na poshtërojë kështu”, kapiteni i Besës ia faturon humbjen gjykimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2023 | 23:35

“Nuk mund të na poshtërojë kështu”, kapiteni i Besës ia faturon humbjen gjykimit

Në Kavajë akuzojnë Blerim Zirin. Humbja në Peshkopi cilësohet e pamerituar nga Besa. Pasi Gugash Magani reklamoi dy penallti të padhëna, flet edhe Skerdian Perja. Kapiteni e quan më tepër se skandaloz gjykimin. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbrojtësi analizon me detaje rastet për moviolë dhe jo vetëm. Ai mendon se është e tepërt që tentuan t’i poshtërojnë në këtë farë mase.

Perja2

“Është normale që të humbasësh një ndeshje, ashtu si ndodhi me Flamurtarin. Fajin në atë rast e kërkuam te vetja, por për Korabin nuk mundem. Nuk mund të pranosh të humbësh se kështu dëshiron një gjyqtar, kjo është sa e dënueshme aq edhe e pafalshme. Ne i kemi në video momentet e qarta të mohimit të dy penalltive dhe nuk e di nëse janë depozituar në FSHF. Në rastin e parë, portieri godet me grusht në kokë Veriun dhe për çudi arbitri vijon lojën.

Jo vetëm që duhet të akordonte 11-metërsh, por edhe të ndërpriste lojën bazuar në rregulloret e FIFA-s. Në rastin e dytë, një mbrojtës vendës ndalon hapur me dorë topin kur ai ishte drejtuar te sulmuesi ynë ngjitur me portën, dhe përsëri kryesori nuk akordon asgjë. Nuk po flas për faulle të padhëna në favorin tonë apo faulle të paqena për vendësit vetëm e vetëm që t’i afronte te porta”, tha fillimisht 31-vjeçari. Pasi rendit këto fakte, kapiteni kërkon edhe nga FSHF dhe kolegjiumi i arbitrave të ndalen te kjo sfidë e të mos lejojnë që pastaj në fushë të bëhet vetëgjyqësi dhe të shfaqen elementë dhune.

“Ndaj çdo ekipi të kishte ndodhur kjo, nuk do të ishte çudi që të kishte dhunë. E them këtë pasi ne futbollistët jemi profesionistë, por mbi të gjitha jemi njerëz familjarë që ushqehemi me këtë profesion. Askush nuk ka të drejtë të na dënojë e poshtërojë në atë mënyrë, duke luajtur me djersën dhe nervat tona.

Nëse nuk ndodhi asgjë, kjo është falë trajnerit Magani e stafit. Më shumë se një herë na kanë këshilluar, por edhe bërë presion që të mos sillemi në mënyrë të padenjë në fushë. Kështu vepruam edhe pse u dënuam ashpër dhe në mënyrë të padrejtë nga gjyqtarët apo edhe në rast fyerjesh masive nga tifozët siç më ndodhi mua në Berat. Të jesh ekip ‘fair play’ nuk do të thotë të jesh viktimë e bilbilave. Besa do të vazhdojë të luajë kështu dhe të kërkojë rezultate në mënyrë sportive”, përfundoi Perja.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"