“Nuk mund të garosh me një ndeshje po e një jo”, Gjyla: I kritikova ashpër lojtarët, lojë skandaloze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 17:12

“Nuk mund të garosh me një ndeshje po e një jo”, Gjyla: I kritikova ashpër lojtarët, lojë skandaloze

I lir Gjyla nuk i ka kursyer kritikat pas humbjes me Egnatian. Trajnerin e shqetëson mungesa e vazhdimësisë së ekipin, që një ndeshje luan dhe një jo. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së verdhejeshilëve ka analizuar me detaje atë që nuk shkoi në këtë 90- minutësh dhe garën në tërësi.

iLIR gJYLA

“Kemi pasur disa kritika për ekipin. Ia bëmë të ditura edhe pas ndeshjes, por edhe ditën e hënë para seancës stërvitore. Si mund të mos bësh kritika për një përballje si ajo e së shtunës?! Madje, ato ishin shumë të ashpra. Ne vërtet kemi thënë se kemi një ekip të ri, por kjo nuk duhet t’i vërë futbollistët në gjumë. Eksperienca fitohet me punë. Kampionati është garë dhe nuk mundet që në një garë të luash një ndeshje po dhe një ndeshje jo. Nuk mundet. Aq më tepër të bësh një ndeshje shumë të mirë në Pezë-Helmës dhe pas një jave në shtëpi të hapesh fare. Ndodhi e njëjta gjë si ajo përballë Pogradecit”, tha fillimisht 53-vjeçari.

GABIMET – Tekniku i lushnjarëve del në konkluzionin që Lushnja nuk ka forcë për të përmbysur shifrat 0-2 dhe shpjegon se çfarë ndodh me skuadrën në të tilla situata. “Çfarë ndodhi? Ne me Pogradecin pësuam dy gola për një minutë. Duhet ta themi hapur. Nuk kemi skuadër për të përmbysur rezultatin 0-2. Aq më tepër kur mosha e futbollistëve, pesha apo eksperienca e tyre nuk është e madhe. E njëjta gjë na ndodhi edhe në përballjen me Egnatian. Po këta futbollistë kanë qenë që bënë një ndeshje të shkëlqyer fazën e parë në Peqin”, u shpreh Gjyla.

PËRQENDRIMI – Trajneri foli për mungesë përqendrimi në ato dy humbje që i quan skandaloze, por deklaroi se i pëlqen reagimi i skuadrës gjatë përgatitjeve për ndeshjen me Tomorin. “Ne duhet t’i vëmë pikat mbi ‘i’ në mungesën e përqendrimit që vihet re në disa ndeshje. Në minutat shtesë me Turbinën dhe Besën kemi humbur katër pikë. Mungesë përqendrimi edhe me Egnatian, madje që në minutën e parë. Në një duel mes rivalësh, të humbasësh përqendrimin… Më pas gati u zbehën fare në fushë. Megjithatë, ajo që më pëlqen mua është se në këto ditë stërvitore skuadra ka reaguar.

Ne kemi bërë kritika të ashpra. Unë asnjëherë nuk u them futbollistëve, nuk ka ndodhur ‘fundi i botës’. Gjithsesi ne dy humbje kemi në kampionat, por janë të thella dhe me një lojë skandaloze. Sigurisht që edhe ne kemi objektivat tanë. Duhet t’i kapim ata. Që kjo të ndodhë, duhet të dalim me rezultat pozitiv nga java e 12- të me Tomorin. Edhe barazimin e fus te rezultati pozitiv.

Ndërkohë që, duhet të dalim me fitore nga ndeshja me Elbasanin që do ta luajmë të mërkurën në fushën tonë. Kampionati është garë dhe në një të tillë duhen pikët. Janë këto që të ngrenë dhe të ulin. Ne do të vazhdojmë të konkurrojmë deri në fund. Më ngroh mobilizimi i djemve për këtë javë”, përfundoi Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"