“Nuk më deshën”, Januzaj sulmon Van Galin dhe Moun: E vështirë të luash kur mungon dashuria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2021 | 11:46

“Nuk më deshën”, Januzaj sulmon Van Galin dhe Moun: E vështirë të luash kur mungon dashuria

Kanë kaluar 5 vite nga ndeshja e fun dit e Adnan Januzajt në “Old Trafford”, kur zëvendësonte Markus Rashfordin, i cili rrëmbente skenën me golat e tij të parë në Premier Ligë kundër Arsenalit. Karriera e Rashfordit sapo kishte nisur, fatkeqësisht ajo e Januzajt po mbyllej përpara kohe në Mançester.

Van Gal Januzaj

Dikur ai përjetonte të njëjtat emocione, duke debutuar me një dopietë kundër Sandërlendit në tetor 2013. I zhgënjyer nga jeta me Luis Van Galin, talenti ishte rikthyer nga një huazim i vështirë te Dortmundi.

Sot, në moshën 26- vjeçare dhe me më shumë eksperiencë, sulmuesi i Sociedadit reflekton në të shkuarën e tij përpara përballjes së parë me ish-skuadrën e tij në fushën neutrale të Torinos, ndërsa një javë më vonë do të rikthehet në “Teatrin e Ëndrrave”:

“Jo, nuk kam për t’i provuar asgjë askujt. Unë i di cilësitë e mia, e di se cili jam. Nuk kam pse t’i tregoj Mançesterit apo dikujt tjetër që jam një lojtar i mirë. Kam besim te vetja. Pengu i vetëm është që nuk munda dot të tregoj gjithë vlerat e mia. Kur debutova te Junajtid dhe erdha nga akademia, njerëzit më tregonin dashuri.

Trajnerët më linin ta shijoja futbollin tim. Por pastaj kur vjen një trajner (Van Gal) i cili nuk tregon dashuri, bëhet më e vështirë për të treguar vlerat dhe të jesh i lumtur. Kur Sër Aleks Ferguson fliste me ne, na jepte shpresë: ‘Punoni fort se do vijë momenti juaj’. Edhe kur bëje një pasim të gabuar, Van Gal ulërinte. Për lojtarët e rinj kjo nuk është e lehtë, ti duhet t’i mësosh ata. Një trajner është si një mësues.

Te Junajtid unë nuk pata shumë shanse, veçanërisht kur erdhën Van Gali dhe Murinjo”, tha Januzaj, i cili mendon se nëse në stol do të ishte trajneri aktual Ole Gunar Solskjaer, gjithçka mund të kishte shkuar ndryshe:

“Mund të shikoni sesi Ole është shumë i mirë dhe ai i do lojtarët e akademisë. Për lojtarë të rinj si Rashford është shumë e rëndësishme që të ketë një trajner të tillë”. Januzaj tregoi se ai është ende në kontakt me ish-trajnerin Sër Aleks Ferguson, të cilin e cilëson “babanë e futbollit”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"