“Nuk mbyllet gjithçka me këtë ndeshje”, mbrojtësi i Pogradecit: Ia dalim edhe ndaj Besëlidhjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2020 | 12:25

“Nuk mbyllet gjithçka me këtë ndeshje”, mbrojtësi i Pogradecit: Ia dalim edhe ndaj Besëlidhjes

Finalja e “play off”-it po afron dhe Pogradeci është duke u marrë me detajet e fundit. Të mërkurën do të zbresin në “Elbasan Arena” për të sfiduar Besëlidhjen dhe djemtë e trajnerit Ardjan Abazaj janë zotuar që do shpalosin “arsenalin” e tyre më të mirë. Është ndeshja e parë shtesë në rrugën drejt Kategorisë Superiore.pere

Parashikohet që përballja të jetë e vështirë, pasi lezhjanët kanë një skuadër përvoje. Megjithatë, në radhët e liqenorëve ka besim të madh se rruga e tyre do të vazhdojë edhe pas të mërkurës. Këtë e pohon edhe mbrojtësi Miklovan Pere, teksa për “Panorama Sport” thotë: “Rruga jonë nuk do të ndalet me Besëlidhjen. Kam shumë besim për këtë. Kundërshtarin e vlerësojmë maksimalisht, por Pogradeci do të zhvillojë ndeshjen më të mirë të sezonit në ‘Elbasan Arena’.

E rëndësishme është që të shfrytëzojmë forcën tonë. Jemi shumë lart moralisht në këtë moment dhe do të doja vetëm që edhe fati të na ndihmonte pak, pasi ndeshje të tilla vendosen nga episodet. Pogradeci është në gjendje ta kalojë me sukses këtë sfidë. Për të arritur Kategorinë Superioren, jo gjithçka mbyllet me këtë ndeshje, pasi do na duhet të luajmë edhe në Shkodër… e megjithatë, nuk është koha të flasim për Vllazninë. Do të shpërqendroheshim”.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"