“Nuk luajmë në Korçë”, reagon Dinamo: Ja e vërteta e negociatave me Takajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2019 | 22:38

“Nuk luajmë në Korçë”, reagon Dinamo: Ja e vërteta e negociatave me Takajn

A do të luajë Dinamo në Korçë? Është një pyetje që bëhet shpesh sot në radhët e tifozëve të Skënderbeut, por jo vetëm. Interes për fatin e bluve të kryeqytetit ka edhe në radhët e klubeve të tjera të Superiores, të cilat ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me kampionatin sezonin e ri.

Dinamo

 

Është artikuluar shumë së fundmi hipoteza se do të krijohet një ekip i ri në Korçë, madje vetë kryebashkiaku Sotiraq Filo i ka hapur rrugën këtij projekti. Por çështja është se a do të pranojnë drejtuesit e Dinamos? Çfarë thonë ata dhe cili është plani i tyre? Gazeta kontaktoi dje me administratorin e klubit, Ismet Saliaj, njëherazi edhe vjehrri i presidentit Besnik Sulaj.

salilja

Z.Saliaj, a do të ngjitet Dinamo në Superiore?

Nuk e dimë, jemi të paqartë. Nuk kemi pasur asnjë diskutim zyrtar me FSHFnë rreth kësaj. Thjesht na kanë thënë që të përmbushim disa kritere të licencimit për të qenë gati në çdo rast, por nuk kemi marrë asnjë konfirmim. Duhet parë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun. Sinqerisht, nuk e di se çfarë do të ndodhë.

A mund të keni ju një bashkëpunim në të ardhmen me Takajn?

Nuk mund të flas për këtë për aq kohë sa nuk kam pasur asnjë bisedë zyrtare me Takajn deri tani. Sezonin e shkuar patëm një bashkëpunim shumë të mirë me familjen Nuri dhe bëmë gjëra të rëndësishme. Ne jemi të hapur për bashkëpunim, por të shohim se çfarë do të ndodhë tani.

A mund të luajë Dinamo si skuadër e parë në Korçë?

Në Korçë?! Nuk besoj. Nuk ma merr mendja. Dinamo është e Tiranës, është 18 herë kampione… Nuk më duket se ka lidhje me Korçën. Por në futboll ndodhin nga të gjitha. Në Shqipëri pastaj çfarë nuk ndodh… (qesh).

Ju a do të pranonit që skuadra t’i luante në Korçë ndeshjet si ekip vendës?

Mua personalisht nuk më pëlqen kjo dhe nuk do të doja që Dinamo të quhet skuadër e Korçës. Nuk ka kuptim. Por të shohim se çfarë do të ndodhë, nuk mund të hyjmë në hipoteza.

A ju është afruar dikush për ta blerë Dinamon?

Jo, në dijeninë time nuk ka pasur asnjë ofertë të tillë.

Skenderbeu-Dinamo

A jeni në negociata me Takajn?

Zyrtarisht, jo. Me mua, që jam edhe administratori i klubit, nuk ka asnjë negociatë. Ndoshta në nivele të tjera, më të larta, por me mua jo.

Çfarë prisni të ndodhë tani?

Presim vendimin që do të marrë FSHF-ja, ndoshta që këtë javë, dhe më pas do të vendosim. Nuk mund të them asgjë më shumë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"