“Nuk lëviz nga Milani”, Tonali i premton besnikëri kuqezinjve: Nuk më plas nëse s’na fusin mes favoritëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 10:53

“Nuk lëviz nga Milani”, Tonali i premton besnikëri kuqezinjve: Nuk më plas nëse s’na fusin mes favoritëve

Pak ditë më parë u përfol për një kalim tek Arsenali si pasojë e një oferta të parezistueshme, por nëse dëgjon Sandro Tonalin, kupton se dëshira për t’u larguar nga Milani nuk ekziston. Ai mezi pret të kthehet në fushë pas dëmtimit të pësuar në miqësore. Të tjera konfirmime në këtë sens vijnë nga intervista që mesfushori ka dhënë për “Corriere della Sera”.

TONALI

Jeni vërtet kaq shumë milanist?

Në fshatin tim jemi të gjithë milanistë, përveç dajave që janë me Interin. Pasionin ma ka transmetuar im atë, që sa herë mundej, ndiqte Milanin në transfertat e Champions-it. Ja pse e ndiej kaq fort këtë fanellë. Te klubi i zemrës erdha në momentin e duhur dhe dua të qëndroj.

Sa rëndësi ka dialogu me shokët e ekipit?

Është thelbësor, e jo vetëm me ata, por me të gjithë stafin apo trajnerin. Që në ditën e parë ka funksionuar në këtë mënyrë e çdokush që ka problem, brenda apo jashtë fushe e thotë e i zgjidhet në çast. Kjo është gjëja më e bukur.

Si është raporti me Ibrën?

Na njeh mirë të gjithëve dhe po mundohemi t’i qëndrojmë pranë në këtë moment delikat. Ai u flet të gjithëve, nga i pari tek i 27-ti i organikës. Për këdo gjen fjalën e duhur. Edhe në pushim të ndeshjeve të vështira di si të na shkundë. Ka gjithmonë mënyrat e tij.

Pse e ulët rrogën?

Sepse ishte gjëja më e drejtë. Një lojtar ka ndjesi ndryshe kur i përket klubit e kur është i huazuar. Nuk është se nuk më zinte gjumi, por ishte nga ato detaje që u bashkuar me të tjerë të shtyjnë të bësh diferencën. Kur je në huazim e luan keq ke gjithmonë frikën se mos klubi i ri nuk do të blejë…

Goli juaj ndaj Lacios i dha shtysën Milanit drejt titullit?

Që pas derbit u ndërgjegjësuam për mundësitë tona. E dinim që mund të mjaftonte një gabim i Interit e do të dinim të përfitonim. Në pesë ndeshjet e fundit fituam sepse nuk menduam kurrë për rezultate të tjera.

Sa vlen titulli i vitit të kaluar?

E dimë që kemi bërë diçka të madhe, por do ta kuptojmë më vonë vlerën e arritjes sonë. E merituam dhe Pioli ishte vendimtar, pasi kur nisi rrugëtimi ynë ai ishte në një situatë të vështirë dhe diti të dalë prej saj kryelartë.

Edhe sivjet Juvja e Interi cilësohen si favorite?

Sigurisht reflektojmë, por me gjithë respektin nuk është se na bëhet vonë. Nuk ka problem. Jemi vetëm ne me tifozët tanë e nuk duam t’ia dimë për asgjë e askënd. Mendimin e të tjerëve nuk e ndryshojmë dot nëse nuk e bëjmë me fakte si vitin e kaluar.

Keni ndonjë mesazh për tifozët?

Po ju tregoj tatuazhin tim më të ri. Kam shkruar: “e pamundur” me një vizë sipër si për ta shuar atë fjalë. Asgjë nuk është e pamundur. Ky është mesazhi im për milanistët.

REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"