Nuk kishte ndodhur kurrë te korçarët, ja çfarë vulosi zbritjen e Skënderbeut nga Superiorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2022 | 21:22

Nuk kishte ndodhur kurrë te korçarët, ja çfarë vulosi zbritjen e Skënderbeut nga Superiorja

Skënderbeu tashmë është në një kategori më poshtë. Shumë hapa të gabuar dhe mbi të gjitha mungesa e fitoreve në transfertë rezultuan fatale për korçarët. Si kurrë në historinë e tij, ekipi nuk e ka mbyllur sezonin me asnjë fitore jashtë shtëpie. Por edhe ndeshjet në Korçë nuk është se shkuan si duhet.

Skenderbeu festa e golit

Duket se ajo që rëndon më shumë te ky edicion të dështuar, janë përballjet ndaj ekipeve me të cilat Skënderbeu duhet të maste forcat. Për të shpëtuar dhe për të siguruar matematikisht mbijetesën, një skuadre i lind për detyrë të fitojë ndaj rivalëve direktë. Kjo, për të shmangur çdo lloj komplikimi në renditje. Një gjë të tillë duket se korçarët e kanë bërë vetëm me Kastriotin, por nuk arritën dot të përsërisnin detyrën me dy ekipet e tjera të vendeve të fundit. Nëse ndaj krutanëve ia dolën dy herë si pritës (ndonëse një prej të cilave u arrit, kur llogaritë thuajse ishin mbyllur), e kundërta ndodhi me Dinamon dhe Egnatian.

Ndaj bluve korçarët nuk mundën të merrnin më shumë se dy pikë në katër ndeshje. Ekipi barazoi dy herë në transfertë me kryeqytetasit, ndërsa humbi të dyja përballjet në Korçë, duke u dhënë kështu mundësi bluve që të ishin në avantazh të ndjeshëm ndaj tyre. E njëjta tablo përsëritet edhe ndaj rrogozhinasve. Skënderbeu e nis mirë duke marrë në dy fazat e para një barazim në transfertë dhe një fitore në shtëpi. Por, pikërisht në momentet më delikate, humbet të dyja takimet ndaj Egnatias. Fillimisht në transfertë e më pas në fazën finale në shtëpi, duke i dhënë një goditje përfundimtare shpresës për qëndrimin në Superiore. Ndonëse ka pasur edhe faktorë të tjerë që sollën zbritjen një kategori më poshtë, duket se Skënderbeu nuk bëri aq sa duhej për të qëndruar në elitën e më të mirëve të futbollit korçar.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"