“Nuk kemi frikë asnjë”, Kruja “kërcënon” kampionët: Tirana njëlloj si të tjerat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 18:10

“Nuk kemi frikë asnjë”, Kruja “kërcënon” kampionët: Tirana njëlloj si të tjerat

Arsid Kruja ka qenë një nga më të mirët për Vllazninë në përballjen e fundit ndaj Skënderbeut. Në një prononcim për “Panorma Sport” mesfushori shprehet i kënaqur me atë që ka treguar Vllaznia në dy javët e para.

arsid kruja

Pavarësisht startit pozitiv, Kruja kërkon që ekipi të qëndroj me këmbë në tokë për sa i përket objektivave afatgjatë. Ndërsa nga ana tjetër Kupa shikohet si një mundësi e mirë për të siguruar një vend në Kupat e Europës. Ai vlerëson punën që po bëhet dhe harmoninë e krijuar në skuadër.

A e kishit menduar një start të tillë për Vllazninë?

Të them të drejtën, me përgatitjen që kemi bërë prej më shumë së 2 muajsh, si dhe duke shikuar edhe ndeshjet miqësore, e kemi pritur një start të tillë.

Fitorja e Korçës, mendoni se i hap rrugë sukseseve të tjera?

Ishte një fitore e merituar, pasi dhamë të gjithë maksimumin tonë. Ne treguam se ishim një skuadër. Tani shpresoj ta vazhdojmë kështu.

Mund të quhet pretendente kjo Vllazni apo është ende herët për të folur?

Nuk duhet të ngutemi dhe të themi dy pa thënë më parë një. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë një e nga një dhe besoj se do të bëjmë shumë më mirë. Normalisht që duhet dhënë maksimumi, takim pas takimit.

A ka grup Vllaznia që të ketë pretendimet e veta edhe në Kupë?

E kam theksuar edhe më përpara që Kupa të jep mundësinë më të shkurtër për të shkuar në Europë. Ne do japim edhe në këtë drejtim më të mirën tonë, në mënyrë që në fund të sezonit të jemi të gjithë të kënaqur.

Cila është “arma” më e fortë e këtij ekipi?

“Arma” kryesore është forca e grupit. Në ekip ka shumë harmoni. Nëse do të vazhdojmë kështu, me një bashkëpunim dhe harmoni në grup, jam i sigurt se do të ecim të bindur përpara.

Çfarë risish ka futur stafi teknik te kjo skuadër?

E reja që ka fut stafi te ne është fryma e grupit. Ato po injektojnë një frymë të mirë, që të jemi të gjithë bashkë.

Mendoni se takimi i javës së tretë me Tiranën do të jetë përballja e parë ndaj një kundërshtari që është pretendent për titull?

Mendoj se edhe me Tiranën do të jetë njëlloj si me të tjerat. Kjo pasi edhe me ekipet si Apolonia e Skënderbeu kemi zhvilluar të njëjtën gjë. Ato i kemi vlerësuar maksimalisht, normalisht deri aty ku i takon. E rëndësishme është se nuk kemi frikë asnjë skuadër dhe hyjmë në fushë që të japim maksimumin në çdo takim.

A. URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"