Nuk kanë të ndalur afrimet te klubi i Kategorisë së Parë / Vjen akord me ish-mbrojtësin e Burrelit, në provë dhe një nigerian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2022 | 16:52

Nuk kanë të ndalur afrimet te klubi i Kategorisë së Parë / Vjen akord me ish-mbrojtësin e Burrelit, në provë dhe një nigerian

Turbina vijon fazën intensive përgatitore në Cërrik dhe aktualisht gjendja e skuadrës është mjaft e mirë. Ditën e martë, drejtuesit cërrikas kanë rënë dakord me mbrojtësin e qendrës, Xhino Ngjela. Ky i fundit ka qenë sezonin e kaluar pjesë e Burrelit dhe me shumë gjasa këtë kampionat të ri do të veshë fanellën e verdhë.

turbina

Të dyja palët kanë rënë dakord dhe pritet vetëm firma në kontratë, që do ta hedhë shtatlarti Ngjela. Ardhja e tij shihet si një përforcim i duhur për prapavijën dhe bashkë me kapitenin Zaimi do të blindojnë repartin e mbrojtjes.

Por cërrikasit nuk janë mjaftuar vetëm me Ngjelën, pasi kompletimi i skuadrës vazhdon, ku një tjetër lojtar ka ardhur në provë. Bëhet fjalë për 19- vjeçarin nigerian Viktor Chibuike, mesfushor krahu, por që luan edhe si sulmues.

Nigeriani Viktor menjëherë i është bashkuar grupit të trajnerit Faslliu, që do të testojë futbollistin. Më pas, stafi drejtues do të vendosë në lidhje me këtë lojtar, nëse do të bëhet pjesë e Turbinës apo jo.

Merkatoja do të vijojë për klubin, që tashmë kërkon prej ditësh një sulmues të mirëfilltë, që të njohë mirë portat kundërshtare dhe të udhëheqë sulmin në sezonin e ri. Janë piketuar dy të tillë nga Superiorja dhe shumë shpejt do të vendoset se cili do të jetë ai që do të përzgjidhet nga klubi.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"