Nuk kanë ku stërviten/ Miratohet buxheti i Lushnjës, 65 mln edhe për terrenet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2021 | 0:10

Nuk kanë ku stërviten/ Miratohet buxheti i Lushnjës, 65 mln edhe për terrenet

Miratohet buxheti për vitin 2021. Lushnja do të ketë në dispozicion plot 508 milionë lekë të vjetër, duke i vënë kështu “shkëlqim” krizës financiare. Ashtu sikundër ishte parashikuar, ngjau.

Lushnja fushat stervitje

Paraditen e djeshme u zhvillua “online” mbledhja e asamblesë së përgjithshme të aksionerëve të “KF Lushnja 1930” sh.a dhe u aprovua unanimisht projektplani për 2021-shin, pasqyrat financiare dhe raporti i audituesve të pavarur. Është parashikuar që nga kjo shumë të rikonstruksionet edhe një fushë stërvitore.

Janë vënë në dispozicion diçka më tepër se 65 milionë lekë (të vjetër) për të ndërhyrë në terrene. Ky investim është i shtrirë në katër muaj, konkretisht nga muaji gushti deri në nëntor.

KRYETARI – Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i Këshillit Bashkiak, Ferdinat Gjermeni, u shpreh: “Unë mendoj që Bashkia e Lushnjës bën një sforco shumë të madhe për të mbështetur futbollin e qytetit. Për këtë, ne që miratojmë këtë buxhet kërkojmë të mirëkuptohemi. Si pasojë e mbështetjes së bashkisë, klubi nuk ka probleme financiare, madje është me një fitim që mbartet në bilancin e vitit pasardhës. Ne e kemi buxhetin dhe presim shumë më tepër nga ekipi. Futbollistët dhe trajnerët i kanë marrë të gjitha pagat dhe premiot. Për sezonin që u mbyll, bashkia i ka realizuar të gjitha likuidimet.

Ne nuk kemi probleme si Elbasani apo Flamurtari. Ne kemi një buxhet që i jep mundësi ekipit për të arritur rezultate më të larta dhe që të bëhet një merkato më e mirë dhe rezultatet për vitin e ardhshëm të jenë më të mira sesa sezoni që u mbyll. Lojtari ka pagën, premion, dietat, që të tjerët nuk i kanë. Sikurse e thanë dhe këshilltarët gjatë diskutimeve, ishte një sezon zhgënjyes. Nuk kemi hedhur asnjë hap për privatizimin.

Natyrisht që kërkohen biznese të modelit pozitiv, që të mos krijohen probleme. Elbasani apo Luftëtari po e nisin nga A-ja. Pra, që të plotësojnë kriteret. Nëse Lushnja ka një bilanc pozitiv, kjo është nga subvencionimi që bën bashkia. Nga kjo që japim, kemi të drejtë të kërkojmë më shumë, për sa i përket rezultatit. Por, deri më tani nuk ka asgjë konkrete për privatizimin”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"