“Nuk kam zëvendësues natyral”, Daja i shqetësuar para ndeshjes me Bylisin: Gjyqtarët të dënojnë dhunën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2020 | 11:24

“Nuk kam zëvendësues natyral”, Daja i shqetësuar para ndeshjes me Bylisin: Gjyqtarët të dënojnë dhunën

Humbja në ndeshjen e parë të kupës me rezultatin 1-0 në Ballsh përballë Bylisit rëndon mjaft te takimi i kthimit për Skënderbeun. Rezultat ky që e vë në diskutim kalimin më tej të korçarëve në fazën tjetër. Por sikur të mos mjaftonte vetëm rezultati, edhe problemet me dëmtimet e shqetësojnë trajnerin e bardhekuqve.
iLIR DAJA
Ilir Daja në konferencën për shtyp, përpos problematikave me dëmtimet dhe rezultatin e ndeshjes së parë, kërkon maksimumin nga të tijtë për të kaluar më tej. Në anën tjetër, numri një i pankinës korçare e ka edhe një mesazh për arbitrat, të cilët sipas tij e kanë penalizuar jo pak Skënderbeun në javët e fundit.

Vini nga një disanvantazh në ndeshjen e parë dhe një sërë dëmtimesh. Shkallë vështirësie e lartë kjo, apo jo?
Në ndeshjen e fundit të kampionatit pësuam humbje pas një faze të plotë, kemi bërë një hap pas në ndeshjen e parë të kupës në Ballsh dhe kontingjentin nuk e kemi të plotë. Duke filluar me Meksin, që me shumë mundësi e ka mbyllur sezonin. Me Vangjelin që u operua nga apendiciti, krahun e djathtë e kemi problem të madh. Kemi dhe disa lojtarë që duhet të shikojmë gjendjen për të parë nëse mund ta nisin titullarë apo jo. Po shohim që përveç problematikës së ndërprerjes së kampionatit, kemi edhe dëmtime prej lojës së dhunshme. Një viktimë e kësaj loje ishte Meksi.

Humbja e parë çfarë efektesh do të ketë nesër (sot)?
Natyrshëm që rezultati 1- 0 është një plus për kundërshtarin, sepse e nis me një fitore këtë takim. Ne duhet të sulmojmë dhe të kemi ekuilibër pas që të mos pësojmë gol, pasi do të ishte e rëndë për shkak të rëndësisë që ka goli jashtë fushe.

Ju shohim pak pesimist në prag të kësaj ndeshjeje…
Nuk jam natyrë pesimiste. Nuk jam i qetë sikundër isha kur e kisha grupin të plotë. Të të mungojnë disa lojtarë të të njëjtit pozicion dhe të mos kesh zëvendësues natyral, por të eksperimentosh, natyrisht nuk është gjë e mirë. Gjithsesi, duhet të shohim se si do të na dalë në ndeshje. Nuk mund ta fsheh se më shqetëson pak kjo situatë, por kurrsesi nuk ma heq optimizmin. E them këtë pasi drejtoj një grup që janë shumë cilësorë dhe mjaft të përgjegjshëm për fanellën që mbajnë veshur. Kjo na bën të japim maksimumin.
Skenderbeu festa e golit
Duke parë gjykimin, a mund të themi se Skënderbeu është kthyer në “prenë” e preferuar të arbitrave?
Dua t’i ndaj gjërat. Ne jemi ekipi që luan futbollin më teknik dhe më të pastër, por jemi ekipi që jemi ngarkuar me më shumë kartonë. Ajo që dua të them nuk është fakti që nuk na janë dhënë penallti të pastra, por një arbitër që ka qenë korrekt dhe i ndershëm për sa kohë e kemi pasur në ndeshje, por në një moment nuk frenon ndërhyrjet e dhunshme gjatë gjithë ndeshjes. Ky është problemi shqetësues, pasi lojtarët janë profesionistë, por edhe për ne trajnerët është problem. Kjo nuk është situatë e izoluar. Kur gjatë gjithë ndeshjes bëhet rutinë, atëherë situata i detyron vetë futbollistët që të kërkojnë udhëzime nga stafi se si duhet të përgjigjen. Nëse do i kërkoja të përgjigjeshin me të njëjtën monedhë, ne do të ishim sërish të dëmtuar, pasi do të ndëshkoheshim me karton sikundër ka ndodhur. Ne jemi një ekip që përfaqësojmë Korçën, qytet i cili edukatën dhe kulturën e ka në gjen.

Ka pasur dy deklarata nga klubi rreth kësaj çështjeje, por mos ndoshta ka ardhur koha që t’i dënoni më fort këto gjëra?
Duhet që secili nga klubet të ketë përgjegjësi për të ulur këtë dozë dhune. Lojtarët janë njësoj si te Ballshi, te Tirana apo kudo. Kjo pjesë e dhunës duhet të dënohet. Këtë e menaxhojnë arbitrat, pasi nëse ndëshkon me të drejtë një ndërhyrje, lojtarët nuk e përsërisin një gjë të tillë. Por kur arbitrat bëhen palë, ky është problem serioz, që duhet të shqetësojë të gjithë federatën më shumë sesa dhënia e një penalltie apo anulimi i një goli.
bYLIS
Humbja 1-0 sa e vështirë është për t’u përmbysur?
E di që është një ndeshje me një rezultat të pastër për kundërshtarin, pasi nuk ka pësuar gol jashtë fushe. Specifika e kupës është e veçantë. Mendoj se pavarësisht kësaj ne jemi përgatitur që të jemi të përgjegjshëm dhe të hyjmë në fushë për të bërë gjithçka për të kaluar më tej.

Është koha për revansh pas dy humbjesh?
Unë do ta ndaja kupën nga kampionati. Ne shpresojmë të gjejmë edhe modulin e duhur edhe lojtarët në fushë me problematikat që kemi për të pasur ekuilibër dhe për të mos vështirësuar kualifikimin. Nëse jemi të përqendruar, ia arrijmë të dalim në gjysmëfinale.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"