“Nuk kam rival Tiranën”, Shensoi para sfidës me bardheblutë: Bylisi vuan shokun e Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 9:25

“Nuk kam rival Tiranën”, Shensoi para sfidës me bardheblutë: Bylisi vuan shokun e Kukësit

Barazimi me Kukësin sigurisht që u përjetua keq në Ballsh dhe duket se fitorja e madhe që u iku nga duart u ka mbetur peng mallakastriotëve. Dy pikët e lënë në shtëpi, natyrisht që kanë shokuar ambientin në Mallakastër dhe trajneri Naxhi Shansoi ka punuar shumë në aspektin psikologjik.

shensoi

Stafi ka qenë i përkushtuar në këtë aspekt, ndërsa lidhur me sfidën me Tiranën, natyrisht që trajneri Naxhi Shensoi favorizon Tiranën, teksa ka pohuar se janë jo më kot në këtë vend dhe për më tepër që kanë një ekip shumë të mirë dhe pasqyra më e mirë janë golat që janë shënuar.

Naxhi Shensoi në prononcimin në prag të ndeshjes me Tiranën, ka folur për sfidën e sotme dhe ka pohuar enkas për “Panorama Sport”.

“Jemi akoma në atë shokun e sfidës me Kukësin, sepse ishim përgatitur shumë që ta fitonim atë ndeshje, por nuk ishim të zotët që ta mbanim atë ditore që na e solli Zoti në ters në minutën e 90-të dhe na iku si me “magji”, pas pak minutave. Nëse do të kishim fituar, sot llogaritë ne i bënim ndryshe, por tashmë një punë shumë e rëndësishme dhe e vështirë është që të rikthejë lojtarët dhe të kenë përqendrimin, por sidomos në aspektin psikologjik, sepse janë shumë të rënë moralisht për mënyrën se si humbëm dy pikë dhe se ai rrodhi ajo ndeshjen për skuadrën tonë, me tërë episodet e asaj ndeshje. Ndaj ky është objektivi personal me skuadrën dhe lojtarët, sepse nuk është Tirana kundërshtari im për momentin, por është vetë gjendja jo e mirë dhe faktori psikologjik i skuadrës sime,që nuk është aty ku duhet”, thatrajneri Naxhi Shensoi. Më pas, trajneri i Bylisit ndalet te bardheblutë.

“Tirana? Po dihet kush është Tirana është plotësisht me meritë aty ku është dhe kanë një ekip mjaft cilësor dhe solid, e madje mjafton që të shohësh golat që kanë shënuar. Dhe për më tepër nëse i krahason me ne, atëherë sheh që ata kanë dyfishin e golave të shënuar, pra ata kanë 52 gola dhe ne 28 gola. Janë ekip me kualitet edhe shumë cilësi, por e thashë që nuk janë ata rivali ynë për momentin, por vetë situata në të cilën ne ndodhemi dhe që duhet ta kalojmë. Vetëm kur skuadra të jetë optimale, sepse kemi mungesa dhe na ka shokuar barazimi me Kukësin, atëherë mund të flasim për një situatë normale”, shtoi trajneri i skuadrës së Bylisit, Naxhi Shensoi.

Në fund ai ndalet dhe te gara dhe fakti që Bylisi mund të jetë faktor. “Nuk dua të analizoj këtë situatë, janë vetë ekipet që kanë në duar fatet e tyre në këtë moment që është gara. Bylisit i erdhi situata në dorë me Kukësin, madje mund të shpresonte që të shpëtonte edhe direkt, por që futbolli ka shumë të papritura e krahas fatit e golave na ndodhin edhe këto, kështu që nuk ke se çfarë bën. E rëndësishme që ne të kapërcejmë këtë situatë dhe në këto 180 minuta të respektojmë garën”,tha trajneri i Bylisit, Naxhi Shensoi.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"