“Nuk kam fusha për vete, në Fier kanë 10”, Sinan Idrizi: Ja pse s’i dhashë “leje” Orikut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2022 | 22:44

“Nuk kam fusha për vete, në Fier kanë 10”, Sinan Idrizi: Ja pse s’i dhashë “leje” Orikut

Sinan Idrizi sqaron se përse nuk i dha “leje” Orikut që të stërvitet dhe zhvillojë ndeshjet në Vlorë. Administratori thekson se nuk kanë fusha as për vete, ndaj janë në këtë situatë. Ai nuk lë pa “thumbuar” marrëdhënien mes Apolonisë dhe FSHF-së. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, numri një i klubit kuqezi flet edhe për ekipin dhe qartazi kërkon kthesën kundër Turbinës.

Sinan-Idrizi

I quan të turpshme 180 ndeshjet e para dhe “faturën” ua lë lojtarëve, që sipas tij janë të dehur nga ngjitja në Kategorinë e Parë. Thotë se pëlqen kuzhinën braziliane dhe beson te “gatimi” i Marcelo Troisit, pavarësisht se pohon se i pëlqen më shumë mishi i Labërisë, po nuk po gjen më në treg. Nuk ngurron që të ndalet te çështja “Flores” dhe ngërçin që ka vonuar ardhjen e sulmuesit në Shqipëri.

Çfarë po ndodh me Orikun, përse Flamurtari nuk e lejon që të stërvitet në Vlorë?

Për Orikumin të kesh parasysh një gjë, që është njësoj si Flamurtari. Nuk ka asnjë ndryshim, është pjesë e jona. Unë kam mungesë terrenesh vetë. Unë i kam thënë Muharremit, që realisht për mua është një nga zotërinjtë e rrallë që ka qyteti i Vlorës, se unë kam mungesë terreni vete. As U-17 dhe U-19 nuk i fus dot. Jam duke bërë fushat e reja tani. I kam thënë “në momentin që unë do t’i mbaroj ato, hajde luaj aty. Mos bëj më stërvitje në Orikum se i kam mundësitë”.

Po tani?

Sot nuk i kam mundësitë. Hajde shikoje. Në 08:30 të mëngjesit stërviten fëmijët e parë. Në Fier ku shkon ai, Apolonia ka pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Federatën, ka bërë nja 10 fusha sa ka, 7 a 8. Ne jemi “bukëshkelës”, nuk dimë të bashkëpunojmë, ata janë më të butë, më të mirë, dinë të bëjnë biznes, ne nuk dimë. (I referohet Apolonisë). Ne kemi një fushë që nuk është as fushë, atë te Pylli i Sodës. Thjesht nuk kam mundësi. Kjo është e gjitha.

OK, por nuk i lejoni as për ndeshje. Me Skënderbeun do të detyrohen që të luajnë në “Loni Papuçiu”…

Ore, janë të zëna fushat, ku të shkojmë. Nuk kam fusha në dispozicion. Nuk dua unë të luajnë aty ata? Për mua suksesi Orikumit është suksesi i Flamurtarit. Është e njëjta gjë. E përsëris, ka administrator një zotëri, dhe pse mos ta lë unë të luajnë, por kjo është situata.

Flasim pak për Flamurtarin. Pas dy javësh pa fitore, e prisni kthesën tani?

Këta mesa duken dehen nga ndonjë gjë që nuk dihet. Do Zoti mbase janë dehur nga lumturia. Përpara se të shkojnë të luajnë në Cërrik, u kam dhënë një libër të fotokopjuar, romanin e Stefan Cvajg, “Dehje nga metamorfoza”. Si duket i ka zënë Kategoria e Parë, se u rritën një kategori më lart. Në sa vite kam unë te Flamurtari, ato ishin dy ndeshjet më të turpshme që kam parë ndonjëherë, këto dy të radhës në Vlorë. Pa dashur të fyejë këto ekipet kundërshtare, që ishin në lartësinë e duhur. Në këto dy ndeshje kemi parë edhe një tifozëri civile që e mban përbrenda dhe nuk shpërthen në atë klasikun që duhet të kuptojnë këta.

Çfarë mendoni se nuk ka shkuar?

Po t’i shikosh të gjitha zërat një për një, nuk kemi ndonjë problem, nuk u mungon asgjë. Problemi është i asaj pjesës që quhet… Ndodh ndonjëherë që “kuzhinieri” nga dëshira e mirë i hedh dy herë kripë gjellës dhe ajo bëhet bajate. Këtu është problemi tani. Është problemi i atyre që gatuajnë tani në kuzhinë. Ne si furnitorë, mirë ose keq, ato kërkesa i kemi plotësuar. Problemi tani është, kujdes te kripa se e tepruam me hedhjen e saj.

Besoni tashmë te “kuzhinieri” i ri, Troisi?

Unë jam një pasionant i asaj që quhet gastropolis. Jam i sigurt që zotëria do të dijë të bëjë një kuzhinë. Në Brazil ka një kuzhinë shumë të mirë të mishit që është “Fogo de Chao”, i thonë ata, dhe është një nga restorantet më të mira në botë ku unë shkoj shpesh. Do zoti na bën një shërbim të mirë. Por po të më pyesësh për mish, unë dua mish labërie më shumë, por nuk po gjej dot. (qesh)

Çfarë po ndodh me Flores, pse po vonohet?

Flores ka pasur një problem pasaporte dhe besoj se të hënën ose të martën do të jetë në Vlorë. Vjen këto dy ditë. Ishte një zgjatje procedurash. E mirëkuptuam, e presim që të vijë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"