Nuk ka shpëtuar ende, klubi i Kategorisë së Parë afron 4 të huaj në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2020 | 0:11

Nuk ka shpëtuar ende, klubi i Kategorisë së Parë afron 4 të huaj në merkato

Nuk është siguruar ende mbijetesa, e megjithatë tek Elbasani kanë filluar të bëjnë plane për sezonin e ardhshëm. Në një kohë që ekipi është duke përgatitur ndeshjen me Shënkollin (e fundit për këtë kampionat), në stërvitje janë shfaqur katër futbollistë të huaj. Bëhet fjalë për tre japonezë dhe një brazilian.

Elbasani-Shenkolli

Të dhënat e tyre duken të mira, por gjithsesi mbetet për t’u parë nëse klubi do të vendosë për t’i mbajtur, pasi është ende herët për të konkretizuar marrëveshjet. Nëse në të kaluarën verdheblutë janë kujtuar vetëm në ditët e fundit të merkatos për të bërë përforcime, këtë herë e kanë marrë më seriozisht seç duhet.

JAPONEZËT – Bëhet fjalë për dy mesfushorë dhe një sulmues, të moshës 22 vjeç. Lojtarët janë afruar në Elbasan dhe prej disa ditësh po shihen nga afër nga ana e stafit teknik, për të parë nëse janë lojtarë që mund t’i shërbejnë ekipit për sezonin e ardhshëm apo jo. Mësohet se paraprakisht Jouta Takahashi, Hajato Nishifori dhe Kjota Vashida janë futbollistë që mund t’u bëjnë punë verdhebluve edicionin e ardhshëm, të cilët paraqesin të dhëna të mira, për më tepër që janë në një moshë të re. Për këtë arsye, stafi teknik është duke i vëzhguar me kujdes.

Elbasani

BRAZILIANI – “Dashuria” e Elbasanit me brazilianët është e njohur. Thuajse çdo sezon kanë pasur lojtarë nga ky vend dhe së fundmi ka dalë në stërvitje edhe 26- vjeçari Mateus Ferreira, një mesfushor krahu. Ashtu si japonezët, edhe ai prej disa ditësh po vëzhgohet nga stafi teknik. Megjithatë, edhe për këtë futbollist nuk mund të thuhet se do firmosë me ekipin, pasi bëhet fjalë për një periudhë prove.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"