Nuk ka qetësi te Vllaznia, largohet trajneri…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2019 | 22:27

Nuk ka qetësi te Vllaznia, largohet trajneri…

Pas disa tërmeteve të vazhdueshme gjatë këtij sezoni, skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj ka arritur që ta mbyllë me një buzëqeshje, duke qenë se siguroi mbijetesën në elitën e koshit shqiptar, në duelet “play-out” përballë Invaders.

Vllaznia3

Por nëse ky që mund të quhet një sukses për këtë sezon të kuqebluve, duket se nuk ka sjellë shumë paqe në këtë skuadër, duke qenë se 24 orë pas mbijetesës, në klub ka pasur lëvizje të mëdha.

Vllaznia2

I pari dhe më kryesori është largimi nga stoli i trajnerit Neven Plantak. Kroati ka mbyllur kontratën e tij me klubin e Vllaznisë dhe me sa duket nuk ka bindur drejtuesit e lartë të presidencës për të vazhduar aventurën e tij në Shqipëri. Të paktën kjo kuptohet nga njoftimi që vetë klubi ka bërë në rrjetin “Facebook”:

“NJOFTIM:

Në kuadër të riorganizimit për arritjen e objektivave të rinj, klubi i basketbollit Vllaznia njofton përfundimin e kontratës me trajnerin Neven Plantak. Ne e falënderojmë kroatin Plantak për kontributin e dhënë dhe punën e tij profesionale. Njëkohësisht, i urojmë suksese në karrierën e tij”. Gjithsesi, revolucioni që me sa duket po planifikohet te Vllaznia për sezonin e ardhshëm nuk do të prekë vetëm stolin, por në të njëjtën kohë ka zëra se do të prekë masivisht edhe grupin e skuadrës.

Vllaznia trajneri

Të parët që pritet të “paguajnë” për rezultatet e vështira në sezonin e sapombyllur, duket të jenë edhe tri amerikanët e skuadrës, Hauard, Bredford dhe Karter, ndonëse vlerësimet e kontratave të tyre mund të bëhen sërish në ditët në vazhdim dhe në pritje të sezonit të ardhshëm.

Ndoshta, një revolucion te Vllaznia ka qenë i nevojshëm, duke qenë se po flasim për një prej skuadrave që kanë bërë historinë e koshit shqiptar, por jo gjithmonë eksodet janë diçka pozitive, ndonëse diçka më konkrete mbi planet e ristrukturimit do të kuptohen në vazhdim.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"