Nuk ka qetësi te Luftëtari, rrëfehet kapiteni: Iki nëse drejtuesit nuk më plotësojnë kushtet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 8:30

Nuk ka qetësi te Luftëtari, rrëfehet kapiteni: Iki nëse drejtuesit nuk më plotësojnë kushtet

Aurel Demo, mbrojtësi i Luftëtarit, është një tjetër lojtar bluzi që pret zgjidhjen e çështjes së pagave me drejtuesit. Pak ditë më parë kuçovari i ka kërkuar klubit bluzi pagat dhe letrat për t’u ndarë pas një viti e gjysmë eksperience te Luftëtari, gjithnjë nëse nuk merr përgjigjen e duhur. Me këtë shqetësim, 23-vjeçari i është drejtuar Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve për t’i dhënë fund ngërçit me klubin.


demo

Lidhur me pretendimin e tij, Demo për “Panorama Sport” tha se është e vërtetë përplasja. “Po, është e vërtetë që i jam drejtuar këtij institucioni. Me drejtuesit kam folur, kemi biseduar dhe u kam dhënë disa ditë afat për të zgjidhur këtë çështje. Nëse nga drejtuesit nuk marr përgjigjen e duhur, atëherë do të kërkoj të dal lojtar i lirë. Për momentin jam lojtar i Luftëtarit, po stërvitem rregullisht për të qenë i gatshëm për ndeshjen me Tiranën”, është shprehur fillimisht Demo.

E ARDHMJA – Lojtari flet për të ardhmen nëse ikën nga Luftëtari. “Nga gazeta mësova se për shërbimet e mia janë interesuar Kukësi dhe Ballshi. S’kam kontaktuar me asnjë nga këto klube. S’mund të bëj një gjë të tillë, përderisa jam nën kontratë me Luftëtarin. Të dielën kemi një tjetër ndeshje të vështirë dhe të gjithë jemi përqendruar te takimi me Tiranën.

Si gjithë shokët e skuadrës edhe mua personalisht më duhet të jap 100% të kapacitetit individual në shërbim të lojës dhe rezultatit të ndeshjes. Do të jetë një ndeshje më shumë se vështirë, por jo e pamundur për t’u kaluar me sukses. Jemi lojtarë të rinj në moshë, por kjo s’do të thotë se u trembemi kundërshtarëve me të cilët përballemi. Ndeshja me Kukësin ishte shëmbëlltyra e lojës së grupit, shpirtit të garës dhe sakrificës. Me këtë armë do t’i përgjigjemi edhe Tiranës të dielën”, përfundoi Demo.luftetar

TIFOZËT – Nëse tifogrupi “Shqiponjat Bluzi” ka pushuar së ekzistuari, kjo s’do të thotë se Luftëtari është braktisur. Përkundrazi, janë të shumtë ata që e mbështetin ekipin dhe në momentet më të vështira që skuadra e qytetit të gurtë përjeton. Ndeshja me Kukësin, pa varësisht numrit të tifozëve (rreth 600), tregoi se “të thekurit” dinë të sfidojnë kushtet atmosferike dhe çdo rrethanë tjetër.

PËRGATITJET – Në orën 15:00 bluzinjtë vijuan normalisht përgatitjet për ndeshjen e javës së 19-të, atë me 24 herë kampionët e vendit Tiranën. Seanca e djeshme më së shumti u fokusua në anën taktike. Luftëtari në ndeshjen me Tiranën pritet të jetë i kompletuar, pasi i rikthehet kapiteni Aurel Demo pas skualifikimit dhe me shumë gjasa mesfushori Erald Hyseni pas dëmtimit. Franc Lala duket se s’është rikuperuar plotësisht dhe kësisoj mbetet për t’u parë aktivizimi i tij nesër ndaj Tiranës.

ARTUR DADAJ – Për drejtorin sportiv të Luftëtarit priten masa disiplinore nga Komisioni i Disiplinës, sipas të cilit numri dy i Luftëtarit ka akuzuar gjyqtarin Erjon Bastari si arbitër bastesh. Sipas këtij institucioni, Dadaj ka hedhur akuza të rënda për gjyqtarin dhe për tepër ka prishur imazhin e futbollit shqiptar. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Dadaj shkurtimisht u shpreh: Unë s’di gjë për këtë që më thoni ju. S’kam asnjë koment”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"