Nuk ka para “cash”, trajneri Gjyla: Japim rroga maksimale! Limitohemi në merkato, ja çfarë lojtarësh pres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2021 | 18:12

Nuk ka para “cash”, trajneri Gjyla: Japim rroga maksimale! Limitohemi në merkato, ja çfarë lojtarësh pres

Ilir Gjyla mbetet në pritje të afrimeve. Janë 23 futbollistë nën kontratë dhe dy vende të lira kanë mbetur për një mbrojtës dhe një mesfushor me tipare sulmuese.

iLIR gJYLA

Është kjo kërkesa e trajnerit të Lushnjës. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës komenton javën e parë të përgatitjeve në Përmet dhe ndalet te spekulimet që po krijohen për afrimet. Vërtet pagat janë të sigurta, por lojtarët sërish hezitojnë dhe shkak është mungesa e kësteve.

“Ekipi po punon mirë dhe stërvitemi maksimalisht, edhe pse në këto momente është e lodhshme, pasi kryejmë nga dy seanca në ditë. Megjithatë, mendoj se futbollistët e kanë pranuar dhe e kanë marrë ngarkesën. Kjo është e rëndësishme pasi për këtë qëllim kemi ardhur në Përmet.

Mendoj se është pozitive. Dua t’ua mbyll gojën spekulimeve, diku me dashje e diku pa dashje. Lushnja është një skuadër me presidente, që në këtë rast është kryetarja e bashkisë. Nuk jemi skuadër që bën blerje. Ne nuk kemi fond për të dhënë një milion apo dy milion në fund të vitit, sepse po të kishim, nuk do të na iknin futbollistët. Kështu ngjau vjet, kur ikën 8 a 10 menjëherë. Ne kemi një rrogë maksimale dhe minimale.

Ilir Gjyla

Shumicën i kemi maksimale, në fakt, por në fund të fundit kemi futbollistë me rroga. Nëse ka spekulime, duhet t’u mbyllet goja, sepse ne nuk bëjmë dot ‘pazar’ që të japim dy milionë në dorë për shembull… E thashë, cila ishte arsyeja që na ikën futbollistët vitin e kaluar. Kjo gjë dihet në të gjithë Shqipërinë. Por, të jemi të qartë, paratë merren të gjitha. Nuk na kanë munguar as 20 qindarka, por prapë jemi të kushtëzuar.

Ne kemi rroga dhe mundohemi të zgjedhim futbollistë me rroga. Ata futbollistë që duan ‘cash’, ikin nëpër ekipe që japin lekë. Për këtë them dhe dua ta sqaroj. Ne kemi marrë futbollistë që kemi dashur, gjithmonë brenda këtyre limiteve. Kemi 23 futbollistë nën kontratë dhe kemi 2 vende bosh.

Kemi shumë telefonata, menaxherë, telefonata kolegësh. Mirëpo, ne po kërkojmë të marrim dy elementë cilësorë. Nuk duam të huaj jashtë vendit, por të huaj jashtë Lushnjës dhe as që të na rrinë në stol. Është ajo shprehja ‘Qorr për qorr e kam në oborr’. Po kërkojmë një mbrojtës të djathtë, një mesfushor të qendrës ose një sulmues. Për mua të jetë mesfushor-sulmues. Pra, duam t’i vëmë pikat mbi ‘i'”, shpjegoi trajneri i Lushnjës.

MIQËSORET – Edhe pse është mbyllur një javë nga qëndrimi në Përmet, Lushnja nuk ka luajtur asnjë takim miqësor. “Kërkuam të bënim një miqësore me Luftëtarin, që ishte i zënë.

Këtu është pozicioni gjeografik, ku nuk ka skuadra. Për të martën (24 gusht) kemi një gjysmë fjale me Butrintin e Sarandës, por nuk kemi vendosur gjithçka. Të shtunën kemi një miqësore të planifikuar me Besën, që do ta luajmë pasi të jemi kthyer nga Përmeti”, përfundoi Gjyla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"