Nuk ka paqe te atletika shqiptare. Ruli: Luiza Gega, para Disiplinës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 10:07

Nuk ka paqe te atletika shqiptare. Ruli: Luiza Gega, para Disiplinës

Pas mbërritjes nga kampionati botëror i Londrës, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, ka raportuar përpara anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për çdo takim dhe pjesëmarrje të tij në mbledhjet e zhvilluara me homologët gjatë qëndrimit në Londër, më kryesorja Kongresi Botëror.

Gega-Ruli-Bezhani

Në përmbyllje të bilancit të Botërorit, në rendin e ditës ka qenë edhe çështja e shumëpërfolur e tërheqjes së atletes Luiza Gega nga kampionati ku ishte programuar të merrte pjesë në garën e 3000 m/ p. Por vetëm pak nga starti, Gega informoi me një mesazh kreun e Federatës se, në pamundësi fizike për shkak të një dëmtimi, ajo nuk do të udhëtojë drejt Londrës. Presidenti Ruli tha për gazetën “Panorama Sport” se, pasi informoi në detaje anëtarët për kronologjinë e ngjarjes me atleten Luiza Gega, ata në unison, sipas kreut të FSHA-së (me përjashtim të njërit që mungonte), kanë shprehur indinjatën për mënyrën se si ndodhi.

Gjergj Ruli presidenti i atletikes

“Përpos raportit për kampionatin botëror, kisha detyrim të referoja edhe për rastin e mungesës së Luiza Gegës në garë, ku të gjithë kanë qenë në një linjë me mua për shqetësimin e ngritur me herët. Pas diskutimeve, Komiteti Ekzekutiv dha direktiva që kjo çështje t’i përcillet Komisionit të Disiplinës, organ i pavarur ky, i cili, pasi të dëgjojë pretendimet e atletes ka autoritetin për të marrë një vendim”, deklaroi presidenti Gjergj Ruli për gazetën, ndërsa konfirmoi se në mbledhjen e djeshme nuk u thirrën atletja Luiza Gega dhe trajneri i saj Taulant Stërmasi.

Taulant Stermasi - Luiza Gega

Dy norma kishte kapur atletja e kombëtares shqiptare, Luiza Gega, për kampionatin botëror për të rritur që u mbajt në Londër, respektivisht në garën e 1500 m dhe atë të 3000 m/p. Më herët ishte kampioni i Europës në kërcimin së gjati Izmir Smajlaj, i cili do të tërhiqej nga kampionati botëror i Londrës. Në këtë mënyrë, pas Smajlajt, edhe Gega nuk mori pjesë në Botërorin e Atletikës duke bërë që Shqipëria të mos përfaqësohej me asnjë sportist në këtë kompeticion.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"