Nuk ka “panik” për Hasanin, Sentamu niset drejt Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 12:39

Nuk ka “panik” për Hasanin, Sentamu niset drejt Shqipërisë

Edon Hasani i është rikthyer stërvitjes dje, paçka se në Kupë mori një goditje në shpinë. Dhimbjet ishin ende prezente, por mjekët kanë nisur terapinë intensive, që shkodrani të mos e humbasë Luftëtarin. Mesfushori dje jo vetëm u stërvit, por mori edhe ngarkesa, megjithatë në survejimin e stafit mjekësor, që i kërkonte në momente të caktuara të shfaqej i kujdesshëm.

sentamu

Megjithatë, dy seancat e fundit para javës së 4-t do të jenë përcaktuese për 26-vjeçarin. Përgatitjet e së enjtes sollën një ndarje të grupit. Nëse lojtarët që morën minuta në kupë kryen vetën vrap dhe ushtrime, e kundërta ngjau me pjesën tjetër. Ata jo vetëm që zhvilluan një seancë plot ritëm, por kryen 15 minuta stërvitje “ekstra”. Rasti konkret vlen për Erando Karabecin, Gentjan Muçën, Albi Doka dhe Grent Halili qëndruan përtej të tjerëve në kompleksin stërvitor. Në kësi kushtesh, duket se situata është premtuese para përballjes me gjirokastritët. I vetmi që me siguri nuk do të jetë gati, është Junus Sentamu. I grumbulluar nga kombëtarja e Ugandës, lojtari ka marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri.

sentamu

Deri dje në mesditë ishte në Turqi, duket qenë se fluturimi është transit dhe ndoshta nesër ai mund të rinisë edhe përgatitjet. Në klub shpresojnë që të paktën lojtari të rikthehet më “prodhimtar” këtë herë. Janë luajtur 270 minuta dhe afrikani nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës. Dhe duhet thënë që problemi më i madh që ka shfaqur ekipin kryeqytetas është pikërisht në sulm, pasi deri më tani ka shënuar vetëm 1 gol dhe atë në humbje 3-1 ndaj Kukësit. Drejtuesit presin reagimin e menjëhershëm, ndaj pa frikë mund të thuhet që 90-minutëshi ndaj Luftëtarit mund të vendosë shumë për të ardhmen e trajnerit dhe lojtarëve. I pari mund të rrezikojë pozitat, ndërsa të dytët mund të vuajnë edhe gjobat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"