“Nuk ka pagesa, pa rezultate”, presidenti i klubit të Kategorisë së Parë jep ultimatum

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2020 | 14:50

“Nuk ka pagesa, pa rezultate”, presidenti i klubit të Kategorisë së Parë jep ultimatum

Në Lezhë nuk durojnë dot më. Nëse barazimi me Burrelin u përtyp, humbja përballë Korabit ka mbushur “kupën”. Këtë e paralajmëroi edhe vetë trajneri në deklaratën e dhënë direkt pas ndeshjes. Sinan Bardhi tha që do të rishikonte pozicionin e tij, megjithatë nuk ka asnjë ndryshim.

Korabi-Beselidhja

Tiranasi do të vazhdojë të jetë në krye të pankinës dhe ndoshta ndeshja e së mërkurës do të jetë prova e së vërtetës për Besëlidhjen e tij. Vetëm një fitore do të sheshonte gjithçka, në të kundërt situata do të marrë tjetër rrjedhë.

ANALIZA

Lezhjanët nisën stërvitjen për javën e gjashtë dje, por para se të nisnin nga puna, u ndalën në një analizë. I pari që e mori fjalën ishte trajneri Sinan Bardhi, i cili shpalosi gjithçka që nuk shkoi në Peshkopi. “Humbja në Peshkopi erdhi si rezultat i lojës së dobët që zhvilluam.

Sinan Bardhi

Të gjitha repartet, pa përjashtim, nuk funksionuan. Kjo na çoi automatikisht në humbjen me 2 gola. Dakord, në një ndeshje pësohet, por më pas duhet të reflektosh për ta përmbysur atë rezultat. Këtu shihet fuqia e një skuadre pretendente për ngjitje, sikurse ne. Duhet të reflektohet, në mënyrë që gabimi i pësimit të golit të mos përsëritet më. Më vjen shumë keq që ushtrimet e zhvilluara në stërvitje në ndeshje nuk zbatohen.

Teprohet me mbajtjen e topit, pra bie bashkëpunimi dhe kolektiviteti, që është baza e suksesit në një ndeshje futbolli. Unë dhe ju, kur jemi prezantuar, i kemi premtuar presidentit që do ta ngjisim Besëlidhjen në Superiore. Ndërsa tani e kemi vështirësuar rrugën vetë. Kjo nuk shkon. Reflektimi ynë duhet të jetë i menjëhershëm që në ndeshjen e radhës, në të kundërtën do të dështojmë”, tha tekniku.

PRESIDENTI

I pranishëm në këtë analizë ishte edhe presidenti. Gjok Noka foli shkurt dhe prerë, duke u vendosur edhe ultimatum. “Që në ndeshjen me Burrelin më zhgënjyet, por besova përsëri te ju dhe se në Peshkopi do të reflektonit e do të merrnim një rezultat pozitiv. Korabi nuk është ndonjë skuadër e madhe, nuk ka gjë më tepër se ne.

gjok noka

Ishim përballë 11 burra me 11, ju nuk iu përkushtuat me të gjitha forcat që dispononi lojës. Luajtët sa për të kaluar radhën. Unë ju paguaj me financat e mia private. Kam një objektiv. Nuk mund të shpenzoj pa limit. Në dy ndeshjet e fundit ju keni luajtur për Burrelin dhe Korabin, që i ngjitët në krye. Ta keni të qartë se nuk ka pagesa pa rezultate”, u shpreh numri një i klubit, duke kujtuar se mund t’u cenohen edhe rrogat.

PRENG GJIKOLA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"