“Nuk ka kuptim bojkoti”, Idrizi: Klubet marrin miliona nga bashkitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 13:52

“Nuk ka kuptim bojkoti”, Idrizi: Klubet marrin miliona nga bashkitë

Sinan Idrizi del kundër vendimit për bojkot të garës sportive nga ana e drejtuesve të skuadrave të Kategorisë Superiore. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Idrizi shprehet se nuk e shikon të arsyeshme bojkotin, në një kohë kur të gjitha klubet që janë pjesë e Kategorisë Superiore marrin fonde nga bashkitë e qyteteve përkatëse.
Sinan-Idrizi
Kreu i klubit vlonjat tha se është pro bojkotit, por nëse protestohet për të mos pranuar që lekët e bashkive të shkojnë për futbollin. “Dëgjova që sot (dje) qenkan mbledhur 10 presidentët e klubeve me Ligën Profesioniste dhe kërkojnë të bojkotojnë futbollin. Unë nuk e kuptoj për çfarë do të protestojnë këta? Të gjitha klubet marrin fonde nga bashkitë. Ah, po! Unë do të protestoja dhe bojkotoja që lekët e futbollit të mos shkojnë për futbollin, por për pastrimin, ndriçimin, gjelbërimin dhe kanalizimet e qyteteve tona. Por jo kështu… Kur ti merr miliona nga bashkia. Nuk e kuptoj! Jam kundër këtij lloj bojkoti. Jam krenar që në 6 vite nuk i kam marrë bashkisë 1 dollar nga taksat e qytetarëve të Vlorës”, përfundoi Idrizi. Këtë vit, më rënien e Flamurtarit në Kategorinë e Parë, ikën edhe administratori Idrizi nga tryeza e Ligës Profesioniste.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"