Nuk ka kondicionerë, Shqipëria humbet në “furrë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2017 | 13:27

Nuk ka kondicionerë, Shqipëria humbet në “furrë”

Kombëtarja shqiptare në basketboll për meshkuj i nis në blof paraeliminatoret e kampionatit botëror 2019. Kuqezinjtë e koshit humbën ndeshjen hapëse të vlefshme për Grupin B në shifrat 51-79 përballë Austrisë. Përtej euforisë së mëparshme, mbrëmja e djeshme rezervoi një tablo në disfavor të skuadrës shqiptare me një lojë aspak bindëse duke i zbehur tashmë shanset për një kualifikim të mundshëm për në turin eliminator.

Shqiperi-Austri

Si skuadrat në fushë, stolat respektivë, por edhe tifozeria e konsiderueshme në numër në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik do të përballeshin me një ambient aspak komod. Ndonëse e përcaktuar të luhej në mbrëmje, prapëseprapë kushtet nuk ishin aspak normale për shkak të temperaturave të larta ku vetëm basketboll nuk mund të luhej. Gjithsesi të gjithë ishin të “dënuar” për këtë realitet.

Ndeshja nis me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por që koshi i parë erdhi pas gati dy minutash nga miqtë austriakë me autor Mahalbasiç. Vetëm tre minuta lojë dhe kombëtarja shqiptare merr një goditje. Muça, i cili e nisi si titullar do të linte parketin për fatin e tij të keq për shkak të një dëmtimi në këmben e majtë.

Shqiperia basketboll

Dy pikët e para nga tanët që mbajtën firmën e legjionarit Bushati. Amerikani Mohzer neutralizohet një seri sulmesh poshtë koshit kundërshtar. Në një sulm të radhës për kuqezinjtë kombinimi i bukur mes Mohzer dhe Hysenagollit shndërrohet në kosh nga qendra kuqezi. Mohzer shënon barazimin e parë e të fundit (9- 9) dhe të fundit për këtë paraeliminatore.

Austriakët shkëputen “flash” 14-9, çka detyron teknikun e Shqipërisë të sinjalizojë “time out”-in e parë. Të zotët e shtëpisë humbin përqendrimin në minutat në vijim, e shfrytëzuar kjo nga rivali që e fiton periodën e parë 16-10, falë edhe një loje efikase në mbrojtje. Perioda e dytë nis me dy pikët e Mohzer ndërsa i vjedh një top Ogunsipes.

Mahalbasiç është rreziku numër një për mbrojtjen shqiptare. Kombëtarja jonë ka një rënie të theksuar në lojën e saj dhe Austria thellon shifrat 12-23. Kur luhet thuajse gjysma e periodës së dytë, lojtari i NBA-së, Poltl udhëheq të vetët në +17 pikë (12-29). Koshi i fundit i kësaj pjese loje shënohet nga Hysenagolli.

Shqiperia basketboll

Bushati, një nga më energjikët për Shqipërinë, është i saktë për tri pikë, por për austriakët nuk ka vend për alarm pasi administrojnë me kujdes ndeshjen duke qenë gjithë kohës në epërsi 24-47. Shqipëria jep një shkëndijë me Shimën me pesë pikët e tij radhazi të shënuara, e ndjekur nga finalizimi për tri pikë e Berdicës si rezultat i një aksioni model.

Përpos serisë së trepikëshave të shqiptarëve me Bushatin dhe Mohzer, kjo nuk prish asnjë balancë në rezultat. Ritmi i lojës bie në 10 minutat e fundit dhe nuk shënon asnjë surprizë ku krejt takimi përfundon me fitoren e miqve 79-51.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"