“Nuk ka justifikime”, Sadedini bën psikologun dhe ngre tonet. Zbardhet mbedhja te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2019 | 10:35

“Nuk ka justifikime”, Sadedini bën psikologun dhe ngre tonet. Zbardhet mbedhja te Flamurtari

Dritan Sadedini kërkon kthesën. Trajneri i Flamurtarit ka ngritur tonet me skuadrën pas takimit të zhvilluar me administratorin Sinan Idrizi.

sadedini

Duke qenë se kjo është një javë vendimtare për të ardhmen e kreut të pankinës, trajneri ka menduar se nuk duhet të humbasë kohë, por të fillojë urgjentisht me metodat për ndryshimin e situatës. Katër humbje që në start janë një rezultat që nuk përtypet dot, jo vetëm nga drejtuesit e Flamurtarit, por mbi të gjitha nga tifozët vlonjatë. Në të tilla kushte, në seancën e djeshme stërvitore, Sadedini ka bërë edhe psikologun me skuadrën.

Ai u ka treguar lojtarëve peshën e fanellës që kanë veshur, ndërsa pret që reagimi të vijë që sot, kur vlonjatët do të luajnë ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Veleçikut. “Jemi në një situatë shumë të keqe. Secili nga ne duhet të mbajë përgjegjësitë. Të gjithë i kanë sytë nga ne dhe presin që kjo situatë të ndryshojë. Nuk mund të ecim kështu. Administratori Idrizi dhe të gjithë presin më shumë. Është e pafalshme që të vijojmë me këto rezultate. Duhet të jeni sa më të qetë dhe me karakter në fushën e lojës. Pavarësisht se i kemi nisur me vonesë përgatitjet, ky nuk duhet që të jetë justifikim. Pres që të bëni maksimumin që nesër (sot) përballë Veleçikut në Kupë. Duhet kujdes i madh në këtë ndeshje, pasi synojmë të kalojmë turin. Pavarësisht se nuk kemi një objektiv të qartë, duhet që ta kalojmë këtë tur dhe të mendojmë të shkojmë sa më lart në Kupën e Shqipërisë”, u ka thënë Sadedini lojtarëve.

Flamurtari-stervitje-660x330

LAÇI – Të dielën Flamurtari luan me Laçin në Vlorë në orën 16:00. Në mbledhjen e djeshme me lojtarët, trajneri ka kërkuar përqendrim maksimal për këtë takim shumë të rëndësishëm edhe për të ardhmen e vetë Sadedinit, pasi një tjetër humbje mund të sjellë shkarkimin e tij. Kreu i pankinës ka përcjellë para skuadrës edhe mesazhet e administratorit Sinan Idrizi, duke kërkuar kthesën e menjëhershme.

“Përpara kemi një skuadër si Laçi që vjen pas një rezultati pozitiv dhe do të kërkojë të bëjë maksimumin në Vlorë. Dua që me qetësi dhe vëmendje të administroni sa më mirë lojën. Nuk na falet aspak një hap tjetër fals”, mësohet se është shprehur Sadedini para lojtarëve.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"