Nuk ka fitues në Strugë, Lena i shënon gol Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2017 | 9:53

Nuk ka fitues në Strugë, Lena i shënon gol Kukësit

Në barazim 1-1 është mbyllur takimi miqësor i luajtur në Strugë ndërmjet Teutës dhe Kukësit. Për Kukësin ka shënuar shkodrani Shtubina, ndërsa golin e barazimit për skuadrën bregdetare e ka realizuar Nijas Lena, i cili, në pjesën e dytë nga pika e bardhë, ka ndëshkuar kuksianët, me të cilët u shpall kampion në sezonin e fundit.

Teuta-Kukesi

Të dy trajnerët e kanë nisur ndeshjen duke u besuar lojtarëve më në formë, ndërsa në pjesën e dytë përdorën edhe disa zëvendësime. Ky test vjen në kuadrin e përgatitjeve që skuadrat po zhvillojnë në Maqedoni në prag të sezonit të ri, që nis më 9 shtator.

Takimi nis i ekuilibruar pasi të dyja skuadrat, si fillim, mundohen të studiojnë njëra-tjetrën dhe të përfitonin nga befasia me anë të kundërsulmeve. Teuta e shfrytëzon shumë mirë energjinë e lojtarëve të rinj në krahë si Cyrbja, Shehaj, Beqja, si dhe nigeriani Sunday.

Miqesorja

Ndërsa eksperienca e lojtarëve të verilindorëve, kryesisht në mbrojtje, bën që të mos rrezikohet porta e Koliçit. Në pjesën e parë janë kuksianët që e kërkojnë golin më shumë dhe në minutën e 17-të e gjejnë golin me anë të ish-lojtarit të Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, i cili po bën goleadorin te Kukësi.

Përpos rasteve që patën të dyja skuadrat në minutat në vijim, pjesa e parë u mbyll me golin e ishkapitenit të Vllaznisë. E dyta nis me ndryshime në të dy kampet, ku trajnerët Gugash Magani dhe Mladen Milinkoviç u japin mundësi edhe lojtarëve të tjerë që të marrin minuta në këtë takim, por edhe për freskuar ekipet, pasi vijnë nga përgatitje me ngarkesa të larta.

Teuta Kukesi

Kështu Magani hedh në fushë Moçkën dhe Bilalin e më pas të rinjtë, Vila dhe Lajthia. Ndërsa Milinkoviç i kundërpërgjigjet me Bakajn, Idrizin, Peposhin, Frashërin, Kalen, Meminin. Edhe pse një ndeshje miqësore, ekipet luftojnë shumë për të marrë një rezultat pozitiv, ku Kukësi kërkon të shënojë golin e dytë, ndërsa Teuta të barazojë.

Përpjekjet e durrsakëve shpërblehen në minutën e 77-të, kur ish-mesfushori i Kukësit, tashmë kapiten i durrsakëve, Nijas Lena, barazon rezultatin nga pika e bardhë e penalltisë. Protagonist i 11-metërshit u bë Alla me ndërhyrjen e gabuar ndaj Lenës. Përfundimi i ndeshjes ka kënaqur më shumë trajnerin e Teutës, pasi Magani shikon progres te skuadra që ai drejton.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"