“Nuk ka burrërinë të m’i thotë gjërat ashtu siç janë”, futbollisti i Apolonisë shpërthen ndaj Kamaratës: Bëra gabim që nuk shkova te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2021 | 21:27

“Nuk ka burrërinë të m’i thotë gjërat ashtu siç janë”, futbollisti i Apolonisë shpërthen ndaj Kamaratës: Bëra gabim që nuk shkova te Kukësi

Për Ekemini Ejoh nuk ka fund “saga” në aventurën e tij fierake. Pas ecejakeve të fillim sezonit që u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes së re 1+1, problemet mes nigerianit dhe drejtuesve janë shfaqur sërish në këtë fund kampionati. Ejoh është pezulluar për mungesë impenjimi me U-21.

Ejoh

Po çfarë thotë vetë lojtari? “Nuk kam probleme me klubin, por me trajnerin Kamarata. Ai është i papërvojë dhe i hutuar. Unë jam munduar gjithmonë të jap maksimumin tim në stërvitje dhe në ndeshje. Trajneri më pezulloi pa asnjë arsye, ai nuk ka burrërinë të m’i thotë gjërat ashtu siç janë. Mendoj se më pezulloi për shkak të raportit që i dha trajneri i U-21, Nikolin Çoçlli, për ndeshjen me Akademinë e Futbollit.

Unë hyra në lojë në minutën e 67-të dhe trajneri Çoçlli i tha atij italian se unë dhe dy lojtarë të tjerë nga ekipi i parë po luanim ‘për qejf’, pa angazhim, gjë absolutisht e pavërtetë. Unë nuk bëj shaka me futbollin, sepse është puna ime dhe me këtë punë unë kujdesem për familjen dhe dy vëllezërit e mi që kam në universitet”, thotë Ejoh.

Në verë, nigeriani refuzoi një ofertë nga Kukësi për t’u ribashkuar me Apoloninë, por duket se do të jetë sezoni i tij i fundit në Fier. “Jam i stresuar nga kjo situatë, por do të përpiqem ta kaloj. Mora një ofertë nga Kukësi në verë, por bëra gabim që nuk shkova. Nuk do të vazhdoj më tek Apolonia, po pres fundin e sezonit dhe gjithçka mbaron këtu”, ka deklaruar enkas për gazetën Ekemini Ejoh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"