“Nuk ka akord, por mos e quani ‘divorc’”, trajneri i Apolonisë sqaron të ardhmen nga Italia: Ja çfarë na penalizoi për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2022 | 21:11

“Nuk ka akord, por mos e quani ‘divorc’”, trajneri i Apolonisë sqaron të ardhmen nga Italia: Ja çfarë na penalizoi për ngjitjen

Nuk ka akord, por as “divorc”. Është kjo situata e Juri Kanarsës tek Apolonia. Trajnerit i ka skaduar zyrtarisht kontrata dhe ka takuar presidentin Koço Kokëdhima, por asgjë nuk kanë vendosur.

Kanarsa

Ai prej ditësh ndodhet në Itali, por qartëson se nuk është thënë fjala e fundit. Këtë e thekson gjatë një interviste të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku nuk ngurron që të analizojë ecurinë gjatë sezonit të fundit.

Ekipi vazhdon stërvitjen, por pa Kanarsën. Ku gjendeni aktualisht?

Jam në Itali. Mua më ka mbaruar kontrata dhe vendosa që të kthehesha në shtëpi.

A do të riktheheni?

Pas përfundimit të kontratës kam zhvilluar një takim zyrtar me presidentin Koço Kokëdhima dhe deri më tani që flasim nuk ka rinovim kontrate për vitin e ardhshëm.

Do të ketë një takim të dytë?

Ende nuk e kemi thënë fjalën e fundit, sepse një takim i dytë mund të sjellë rinovimin e kontratës. E falënderoj publikisht për bashkëpunimin 1-vjeçar dhe sigurisht që numri një i klubit fierak gëzon respektin tim maksimal.

Një vit si trajner në futbollin shqiptar. Çfarë përshtypjeje ju la?

Pas një viti të vështirë, mësova shumë. Në përgjithësi skuadrat shqiptare ishin agresive në fushë, këtë e vura re sidomos në transferta. Veç futbollit, vizitova disa qytete ku nuk kisha shkuar kurrë më parë. Nuk ka qenë një vit i lehtë për mua pasi konkurronim në një kampionat me mjaft ekipe cilësore, që në fillim as nuk i njihja. Nga java në javë nisa t’i “zbuloja”.

Objektivi madhor për hyrjen në elitë nuk u arrit. Pse?

Nisja jo e mirë e sezonit pati kostot e veta, plus mosha. Apolonia ka një skuadër me moshë relativisht shumë të re, në një kohë që kundërshtarët tanë kishin lojtarë me eksperiencë dhe shumë më agresivë në fushën e lojës. Më vjen keq që nuk u ngjitëm, pasi u përpoqëm shumë. Por ky është futbolli dhe duhet të nxjerrim mësimet e nevojshme.

Çfarë i mungonte ekipit tuaj?

Skuadra nuk kishte stol, këtë duhet ta pranojmë. Por jam i kënaqur me atë që arritëm dhe paraqitjet që në fushën e lojës. Nuk e kapëm objektivin sezonal, por dolëm kokëlartë nga faza “play off”. Personalisht kam marrë shumë komplimente për stilin e lojës.

Cila ishte pika e fortë e Apolonisë?

Së pari infrastruktura, asgjë nuk na mungonte. Së dyti, do të vlerësoja akademinë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"